Shqipëri-Itali, forcohet lufta kundër drogës, nënshkruhet Memorandumi për rritjen e operacioneve të përbashkëta

Policia e Shtetit Shqiptar dhe Drejtoria Qendrore e Shërbimeve Kundër Drogës e Republikës Italiane kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit “Misioni kundër drogës”. Ky dokument synon të rrisë ndjeshëm cilësinë dhe efikasitetin e luftës ndaj trafikut të paligjshëm.
Memorandumi u nënshkrua në Romë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe nga Drejtori Qendror për Shërbimet Kundër Drogës, Gjeneral Major i Karabinierëve Giuseppe Spina.
Objektivat kryesore të Memorandumit
Ky pakt operativ, si pjesë e angazhimeve të marra në Samitin Ndërqeveritar, do të shërbejë si një bazë ligjore për thellimin e bashkëpunimit në disa dimensione kyçe:
Bashkëpunimi operacional duke rritur cilësinë e bashkëpunimit në terren mes strukturave.
Lehtësimi i shkëmbimit të shpejtë dhe të besueshëm të informacionit mbi grupet kriminale që operojnë në fushën e drogës.
Forcimi i operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta, me qëllim goditjen e rrjeteve transnacionale.
Zgjerimi i programeve të trajnimit dhe shkëmbimeve profesionale midis oficerëve policorë të dy vendeve.
Nënshkrimi i këtij memorandumi vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Italia po thellojnë partneritetin strategjik në fushën e sigurisë dhe rendit, duke e bërë luftën kundër trafikut të drogës një prioritet të përbashkët.
/rtsh.al/