Shqipëri-Spanjë, kuqezinjtë luajnë sot shansin për kualifikim

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë sot ndeshjen vendimtare të grupit B të Kampionatit Evropian të futbollit, ku do të ballafaqohet me Spanjën, aty ku edhe do të vendoset fati i kuqezinjve në rrugëtimin e këtij kompeticioni.
Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik ekipi u stërvit të dielën për më shumë se një orë në kampin bazë kuqezi në Kaiserau, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje.
Sulmuesi kuqezi Mirlind Daku nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo, për shkak të pezullimit nga Komisioni i UEFA-s me dy ndeshje.
Me vetëm një pikë të mbledhur pas dy ndeshjeve të zhvilluara, humbjen nga Italia dhe barazimin me Kroacinë, të besuarit e Silvinjos duhet që sonte ta kërkojnë me çdo kusht fitoren për të kaluar në fazën e eliminimit direkt, ndërsa me një barazim eventual do të duhej të shpresonte të kualifikohej më tej nga pozita e vendeve të treta.
Në kampin tjetër, Spanja e cila tashmë e ka siguruar kualifikimin, pritet që të luajë me lojtarët që kanë pasur më pak minutazh dhe kjo jep më shumë mundësi që Shqipëria të synojë maksimumin e pikëve.
Ndeshja e tretë e Grupit B të Euro 2024, Shqipëri-Spanjë do të luhet sot, datë 24 qershor, në stadiumin “Düsseldorf Arena”, duke nisur nga ora 21:00.