Shqipëri: Të pavlefshme hetimet për rrugën Durrës-Kukës
Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi të shpallë të pavlefshme hetimet e prokurorisë për shkelje ligjore dhe abuzime financiare në ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës, sepse sipas Gjykatës, ato ishin kryer jashtë afatit ligjor të përcaktuar për veprime hetimore.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë la në fuqi vendimet e Gjykatë së Apelit, sipas të cilës, hetimet e kryera në një kohë shtesë kishin kapërcyer afatet ligjore të parashikuara ndaj edhe konsiderohen të pavlefshme.
Ministri i jashtëm, Lulëzim Basha, ish-ministër i transporteve, deklaroi në hyrjen e Gjykatës së Lartë se padia ndaj tij ishte një komplot kundër rrugës Durrës – Kukës.
"Sot mori fund një komplot politik kundër rrugës Durrës – Kukës – Prishtinë. Kjo është përgjigja e merituar nga drejtësia shqiptare për këtë komplot politik antishqiptar. Fundi i turpshëm i këtij komploti është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Ata presin me padurim që së bashku me tunelin e Kalimashit të hapin një faqe të ndritur dhe të re në historinë tonë kombëtare,"tha ai.
Zoti Basha nuk pranoi të japë shpjegime teknike lidhur me padinë për abuzimë në ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës, por vazhdoi me komente politike kundër opozitës socialiste.
"Kjo është dita e kukuvajkës për Edi Ramën dhe për të gjithë ata që për dy vjet me radhë investuan politikisht në përbaltjen e këtij projekti dhe krenarisë legjitime që shoqërohet me të"- tha zoti Basha.
Ndërtimi rrugës Durrës - Kukës që lidh Shqipërinë me Kosovën është ambicja kryesore e qeverisë Berisha në fushën e infrastrukturës. Kjo rrugë nisi menjëherë me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike në 2005, ndërsa fondet kryesore i mori ndërtimi i një tuneli në Thirrë dhe Kalimash.
Akuzat e opozitës kanë të bëjnë me shkelje ligjore dhe financiare të konsiderueshme në tenderat për segmentet e rrugës, ndërkohë që edhe Prokuroria nisi hetimet, të cilat tani u bënë të pavlefshme nga Gjykata e Lartë.
Qeveria ka premtuar mbarimin e rrugës brenda mandatit 2005 - 2009. Të dhënat nga kantieret e rrugës flasin për një ecuri të mirë të punimeve dhe mbarimin e tunelit deri nga mesi i këtij viti. //ii