Italia në zi kombëtare për viktimat e tërmetit
Mijra njerëz morën pjesë në funeralin shtetëror për viktimat e tërmetit të së hënës në Italinë qëndrore.
Familjarët e pikëlluar u mblodhën sot pas radhëve të më shumë se 200 arkivolëve të mbuluar me lule në sheshin e akademisë policore në Akuila, epiqendra e tërmetit 6 presje 3 ballësh. Pesë arkivolë të bardhë fëmijësh u vendosën mbi ato të prindërve të tyre.
Në një mesazh, Papa Benedikti u lut për kurajo dhe shpresë për të mbijetuarit. Një imam dha gjithashtu lutjet e tij për viktimat e tërmetit.
Italia shpalli ditën e sotme, ditë zie kombëtare. Numri i të vdekurve nga tërmeti i së hënës arriti në 289 pas gjetjes së trupave të dy viktimave të tjera në rënojat e shtëpive të tyre.//rd//