Shqipëri-Ukrainë, 1 minutë heshtje për vdekjen e 14 vjeçarit Martin Cani

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ndeshja mes Kombëtarjes shqiptare të futbollit mbrëmjen e sotme përballë Ukrainës në stadiumin “Air Albania” ka nisur me një minutë heshtje në nder të 14 vjeçarit Martin Cani i vrarë një ditë më parë në Tiranë nga një bashkëmoshatar.
Cani ishte një lojtar i ekipit U-15 të ekipit Dinamo City.
Më herët sot, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të 14-vjeçarit Martin Cani, duke u shprehu se, “nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla! Aq më tepër sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtësisht në mes”, theksoi Duka.
“Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!”, shtoi Duka.
/a.f/