Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, platformë për harmonizim 100% me politikën e jashtme të BE-së

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova janë angazhuar për një përafrim 100% me politikën e Përbashkët të sigurisë së jashtme të Bashkimit Europian.
Mediat e Maqedonisë së Veriut bënë të ditur vendimin pas deklarimit të platformës joformale nga Ministrat e jashtëm të vendeve, Olta xhaçka për Shqipërinë, Bujar Osmani për Maqedoninë e Veriut, zëvendësministri i Jashtëm dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti si dhe këshilltari për politikën e jashtme të kryeministrit malazez, Gjorgje Raduloviç.
Mediat që i referohen njoftimit për shtyp nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, informojnë se fokusi i takimit ishte përafrimi i plotë i katër vendeve me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, kërcënimeve hibride, krizës energjetike dhe ekonomike dhe pasojat e shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës.
“Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, harmonizimi me CFSP-në, por edhe përtej kësaj, me pozitat dhe vlerat e botës demokratike, është kthyer në një nga prioritetet më të rëndësishme të vendeve aspirante të BE-së, por edhe si një mesazh i qartë për ku janë këto shtete”, është shprehur Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Sipas tij, secili prej vendeve pjesëmarrëse ka treguar se është partner i besueshëm i NATO-s dhe BE-së, duke u përafruar me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, por edhe duke ofruar ndihmë konkrete humanitare dhe ndihmë teknike për Ukrainën. Ministri Osmani ka informuar gjithashtu të pranishmit në takim për reformat e ardhshme, duke treguar se nuk do të ketë devijime nga rruga e BE-së për Maqedoninë e Veriut, një vend i njohur për demokracinë dhe kohezionin multietnik, i njohur së fundmi në besimin për të ofruar mikpritjen për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër.
Qëllimi i përbashkët strategjik i të gjitha vendeve që kërkojnë të arrijnë harmonizimin e plotë me BE-në, është integrimi i plotë brenda Unionit. Në këtë kontekst, lidhur me zhvillimin aktual rajonal dhe ndërkombëtar, procesi i zbatimit të politikave, rregulloreve dhe standardeve të BE-së përfaqëson një interes të lartë kombëtar, informohet nga të njëjtat burime.
/rtsh.al/