Shqipëria U-20 gjen fitoren e munguar

Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç për djem, që drejtohet nga Eni Llazani, është e nëntëmbëdhjeta në 20 ekipe pjesëmarrëse në Kampionatin Europian, Divizioni B, që të dielën përfundoi në Shkup. Në ndeshjen e fundit, kuqezinjtë kanë fituar me Azerbajxhanin, 65-59.
Një ndeshje e luftuar, ndërsa kuqezinjtë kanë fituar periodën e parë 21-13. Kërkon të përmbysë Azerbajxhani, që triumfon në të dytën 20-11 dhe kryeson në pushim 33-32. Mirëpo pas pushimit është gjithçka për Shqipërinë. 16-11 perioda e tretë për lojtarët tanë, që kryesojnë 48-44. 17-15 e fundit dhe në mbyllje 65-59 për Shqipërinë.
Lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Aleks Nika me 11 pikë të shënuara, 11 kapje topi në tabelë, 4 asist, 1 rrëmbim të topit të kundërshtarit në aksion e sipër dhe 3 bllokime. Ndërkohë në të njëjtin kampionat, Kosova zuri vendin e njëmbëdhjetë, ndërsa në ndeshjen e fundit mundi Austrinë, 78-67. Kështu me një fitore dhe gjashtë humbje, Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç mbyll pjesëmarrjen në Kampionatin Europian duke mbetur përsëri në Divizionin B.