Botërori i sporteve të ujit në RTSH, kryeson Kina

Në Fukuoka të Japonisë po zhvillohet veprimtaria më madhore e sporteve ujore, Kampionati Botëror, i cili ka nisur me ceremoninë e hapjes më 14 korrik dhe do të mbyllet më 30 korrik 2023. Kjo veprimtari është një nga ekskluzivitet madhore sportive të kësaj vere në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe garat e tij po vijnë drejtpërdrejt në ekranin e transmetuesit publik në orët e para të mëngjesit dhe të paradites me orën e Tiranës. Garat kryesore të ditës së 3-të të tij kanë qenë kërcimi nga trampolina 1-metërshe për meshkuj, kërcimi i sinkronizuar nga platforma 10-metërshe për femra, dueti teknik i notit të sinkronizuar për femra, si dhe 10 km not i lirë për meshkuj.
Kështu, në garën e parë, atë të kërcimi nga trampolina 1-metërshe për meshkuj mbizotëroi Kina, që mori vendin e parë me Xhianfeng Peng dhe atë të 3-të, me Xhiujuan Zheng, ndërsa podiumin e plotësoi Osmar Olvera Ibarra, që mori medaljen e argjendtë. Kina mori medaljen e artë edhe në kërcimin e sinkronizuar nga platforma 10-metërshe për femra, me dyshen Juxi Çen/Hongçan Quan, që lanë prapa dyshen britanike Andrea Spendolini Sirieks/Lois Tulson dhe atë amerikane Xhesika Parrato/Delanej Shnell.
Kurse në duetin teknik të notit të sinkronizuar për femra, dyshja japoneze e Mashiro Jusanagës dhe Moe Higas, mposhti atë italiane të Lukrecia Ruxheiros e Linda Cerrutit dhe atë spanjolle të Iris Tio Kasas dhe Alisa Ozhogina Ozhogin. Dhe, së fundmi, në 10 km not i lirë për meshkuj, Gjermania mori medaljen e artë dhe të bronztë, me pëkatësisht Florian Velbrokun dhe Oliver Klemetin, ndërsa medaljen e argjendtë e mori hungarezi Kristof Rasovski.
Pas ditës së 3-të, renditjen e medaljeve e kryeson Kina, me 5 të arta, 1 të argjendtë dhe 2 të bronzta, e ndjekur nga Japonia dhe Gjermania, me nga përkatësisht 3 dhe 2 të arta dhe nga një të bronztë.