Shqipëria bie 11 vende në listën e FIFA-s
Dy humbjet zhgënjyese kundër Hungarisë dhe Danimarkës në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2010, i kanë kushtuar kombëtares kuqezi me 11 pozita në listën e FIFA-s. Në renditjen e muajit mars Shqipëria ishte e 80-ta në renditjen e kombëtareve më të mira në botë, ndërsa tash pozicionohet në vendin e 91-të. Humbja minimale prej 1-0 ndaj Hungarisë në Qemal Stafa, pavarësisht një paraqitjeje solide, dhe 'turpërimi' prej 3-0 në udhëtim kundër Danimarkës, kanë bërë që ekipi i drejtuar nga trajneri Arie Haan të zbresë 11 vende. Kjo është pozita më e ulët e Shqipërisë për këtë vit dhe më e ulëta që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u rendit në pozitën e 102-të. Prej ekipeve ballkanase, zbritje ka pësuar Maqedonia, 4 pozita, por e cila ende qëndron shumë më lartë se Shqipëria, pasi tash mban vendin e 64-të, si dhe Kroacia me një pozitë më poshtë (tani e 8-ta). Të gjitha ekipet tjera kanë pësuar ngritje. Greqia është ngritur gjashtë pozita (tani e 13-ta), Serbia 13 pozita (tani e 23-ta), Bullgaria shtatë pozita (tani e 20-ta) dhe Bosnja e Hercegovina, që është ngritur plot 20 vende (tani e 38-ta).