Shqipëria dhe Kosova, bashkohen në teatër

Shfaqja “Edipi Mbret” e regjisorit Ilir Bokshi, një bashkëprodhim Shqipëri-Kosovë, pas premierës në Tiranë do të shfaqet sot, për publikun e Prishtinës.
Për tre netë me radhë Teatri Kombëtar i Tiranës do të jetë në kryeqytetin e Kosovës për të shfaqur aty tragjedinë e Sofokliut. Helidon Fino është protagonisti i shfaqjes, nën interpretimin e Edipit. Jokastra do të vijë nga Yllka Mujo, Korifeu nga Ema Andrea, Kreoni nga Neritan Liçaj, etj.
Historia e tragjedisë së Edipit atëvrasës dhe incestuoz vjen për publikun në një këndvështrim të ri nën regjinë e Ilir Bokshit. Shfaqja i qëndron besnike antikitetit. E bazuar në variantin klasik, por e afruar në ditët tona, “Edipi Mbret” është një shfaqje ku muzika dhe koreografia janë elementë të dorës së parë.
Një sfond muzikor mbarëshqiptar çel shfaqjen, ndërkohë që elementë të tjerë shqiptarë janë të pranishëm deri në fund të saj. Aktorët këndojnë dhe sjellin gjendjen emocionale të veprës edhe përmes lëvizjeve të shumta skenike të konceptura nga Ema Andrea. Ndërsa kompozitori Trimor Dhomi përveç këngës labe, daulleve, sjellë dhe rënkimet e stilizuara në grup.
TK i Kosovës ka investuar në këtë shfaqje 10 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër nga TK në Tiranë, njofton BW. Ky është bashkëprodhimi i parë mes këtyre institucioneve dhe sipas drejtuesve të tyre pritet që të pasohen edhe nga të tjerë në të ardhmen. /Indeksonline/