E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria drejt krijimit të byrove private të kredisë

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Shqipëria po hedh hapa konkretë drejt forcimit të tregut financiar përmes hartimit të legjislacionit për ngritjen e byrove private të kredisë, një nismë që mbështetet nga Grupi i Bankës Botërore dhe financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Kjo iniciativë synon të përmirësojë transparencën dhe funksionimin e tregut të kreditimit, duke ndihmuar institucionet financiare të marrin vendime më të informuara dhe duke lehtësuar aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në financim.

Në hartimin e legjislacionit për Byrotë Private të Kredisë, Shqipëria po bashkëpunon me Bankën Botërore, si edhe me sektorin privat për zbatimin në praktikë të kësaj nisme, e cila financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Në këtë kuadër, përfaqësues të bankave qendrore dhe institucioneve nga i gjithë rajoni zhvilluan një vizitë studimore në Itali, ku u njohën nga afër me funksionimin praktik të byrove të kreditit.

Gjatë vizitës u shkëmbyen përvoja mbi funksionimin e regjistrave publikë të kredisë dhe ndërveprimin e tyre me zyrat private, si dhe mbi çështje kyçe si mbrojtja e të dhënave dhe tendencat më të fundit në sektor, përfshirë përdorimin e të dhënave alternative dhe zgjidhjet fintech.

Byroja e Kredisë është një institucion që mbledh, përpunon dhe shpërndan informacion mbi historikun financiar të individëve dhe bizneseve. Ky informacion përfshin të dhëna mbi kreditë e marra, pagesat e kryera në kohë, detyrimet e papaguara apo vonesat në shlyerje.

Në praktikë, këto byro funksionojnë si një “pasqyrë financiare” e klientit, duke u dhënë bankave dhe institucioneve të tjera mundësinë të vlerësojnë rrezikun përpara se të japin një kredi. Sa më i mirë historiku i pagesave, aq më të larta janë mundësitë për të përfituar kredi me kushte më të favorshme.

Ky hap ka rëndësi për ekonominë e vendit dhe zhvillimin e shëndetshëm të sektorit financiar.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›