E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e Kuzhesë për kualifikimet e Euro 2012

Leonard Karaj - Është një skuadër e brishtë. Mjafton të mungojë një si Cana, Dallku ose Bulku që trajneri të vihet në alarm. Kjo parë më së shumti në aspektin mbrojtës duke qenë se përgjithësisht Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në mbrojtje. Por jo pak probleme ka edhe përpara, aty ku mesfusha vuan fantazinë humbur të Ervin Skelës dhe sulmi mbahet vetëm tek golat e Hamdi Salihit. E tillë paraqitet situata në kapin kuqezi, 6 muaj para startit të kualifikimeve për EURO 2012. Kuzhe, pasi ka njohur kundërshtarët ka nisur të bëjë hesapet me një kontingjent futbollistësh ku disa vuajnë dëmtime serioze, ca prej tyre janë komplet jashtë forme, shumica ngrohin pankinat në ekipet ku militojnë dhe vetëm 4-5 prej tyre ruajnë “nderin kuqezi”.
Gjendja
Beqaj, Vangjeli, Lala, Bulku, Gilman Lika janë katër futbollistë që vijnë nga dëmtime serioze dhe ende nuk dihet forma e tyre e vërtetë. Sidomos për dy veteranët, Lalën dhe Beqajn, lamtumira me ekipin kombëtare duket se është në prag. Kapiteni kuqezi nuk luan prej shumë kohësh (këtë sezon nuk ka luajtur asnjë ndeshje me Hanover) dhe me shumë gjasa do të mungojë edhe për disa javë para se të ulet të paktën në pankinën e skuadrës së tij. Ndërsa Beqaj është rikthyer nga një dëmtim por jo në formën që ka pasur një sezon më parë kur Anorthosis i tij linte “nam” edhe në Champions League. Disi më pak problematikë Vangjeli, Bulku e Lika, lojtarë këta që edhe falë moshës mund të vihen 100 % në dispozicion të trajnerit. Nga ana tjetër futbollistë si Klodian Duro, Ansi Agolli, Jahmir Hyka, Erjon Bogdani e Besart Berisha e kanë kaluar këtë sezon më shumë në pankinë sesa në fushën e lojës. Ndaj edhe vendi i tyre në Kombëtare shihet me shumë skepticizëm. Në këtë listë do të ishte edhe Ervin Skela, por fakti se firmosi në nëntor për Koblenz, i dha mundësi që të paktën të luante për një ekip (deri në nëntor ishte pa ekip). Të paprekshëm mund të cilësohen, kjo edhe falë asaj që ata kanë dhënë deri tani në fushën e lojës me skuadrat e tyre, Ujkani, Cana, Dallku, Curri dhe Salihi.    
Porta
Katërkëndëshi kuqezi i ka kaluar në dorë Samir Ujkanit. Ndoshta, 22-vjeçari është ende tepër i ri dhe pa eksperiencë për të marrë përgjegjësi të tilla por fakt është se në njëra anë është një Arian Beqaj, në të kaptuar të 36-vjetët dhe në anën tjetër një Isli Hidi që nuk jep garanci. Ndaj njëshit të Novaras i mbetet të marrë në dorë trashëgiminë e Beqajt. Kuzhe e pëlqen mjaft dhe fakti se në verë mund të kthehet si portier i parë te Palermo, ekip që ka pronësinë e kartonit të tij, mund ta bëjë numrin 1 të padiskutueshëm të ekipit përfaqësues.
Mbrojtja
Prej vitesh, që prej largimit të Besnik Hasit nuk “prodhojmë” dot një qendërmbrojtës tipik dhe i lejojmë luksin vetes që të kthejmë prapa një si Lorik Cana. Edhe për EURO 2012 kosovari i Sanderlendit do të mbajë atë pozicion me një ndryshim goaxhga thelbësor: në pritje, përkrah tij mund të jetë Mërgim Mavraj. Mbrojtësi i Bokumit ka pranuar të riveshë fanellën e Kombëtares dhe mund të jetë pjesë e skuadrës që në miqësoren e 3 marsit ndaj Irlandës së Veriut. Ardhja e Mavrajt do të spostonte Currin në mesfushë. Pjesa tjetër e mbrojtjes do të varej nga Dallku në të djathtë dhe Agolli ose Vangjeli në të majtë.
Mesfusha
Mund të ketë disa ndryshime. Por këto do të varen shumë nga forma që do të shfaqin në kampionat Elis Bakaj dhe Emiljan Vila. Nëse dy talentet do të jenë në ditët e tyre më të mira atëherë rrezikojnë seriozisht postin Klod Duro dhe pse jo edhe Ervin Skela. Gjithsesi për t’u theksuar është fakti se Kuzhe, në mesfushë ka një larmi zgjedhjesh por këto do të kushtëzohen natyrisht nga forma e gjithsecilit. Në këtë repart, në garë për tu grumbulluar mbeten edhe dy bardheblutë, Jetmir Sefa dhe Gjergji Muzaka.
Sulmi
I sigurt teorikisht është vetëm Hamdi Salihi. Fakti se sulmuesi shkodran po shënon rregullisht e bën atë zgjedhjen e parë të Kuzhesë. Mbetet për tu verifikuar “fati” i ERrjon Bogdanit, i cili do të mbete pa skuadër në fund të këtij sezoni pasi i përfundon kontrata me Kievon. Gjithsesi edhe pse futbollisti është në të kaptuar të 33-vjetët, ai nuk do ta ketë të vështirë të grumbullohet në kombëtare, kjo edhe për faktin se, më të rinjtë, Kapllani e Berisha, të cilët duhet ta rivalizojnë janë në ditët e tyre më të zymta. Kjo është Kombëtarja që ka në dorë, të paktën për momentin trajneri kroat Josip Kuzhe. Dhe duke parë nga ana tjetër gjendjen e kundërshtarëve për EURO 2012, një kualifikim duket më shumë se një ëndërr.
    
Skema: 4-3-1-2
Beqaj
Dallku, Cana, Curri, Agolli
Duro, Bulku, G.Lika
Skela
Bogdani, Salihi
Skema: 4-3-2-1
Ujkani
Dallku, Cana, Mavraj, Vangjeli
Bulku, Curri, Agolli
Bakaj, Skela
Salihi
Skema: 4-2-3-1
Ujkani
Dallku, Mavraj, Cana, Agolli
Bulku, Curri,
Hyka, Vila, Skela
Bogdani
Skema: 4-4-1-1
Ujkani
Vangjeli, Cana, Mavraj, Agolli
Bakaj, Bulku, Curri, G.Lika
Skela, Salihi

“Outsiders”
Tri emrat që mund të “vënë në siklet” Kuzhenë
Gjithçka varet nga ata. Nëse në muajt në vazhdim do të tregojnë se e mritojnë një ftesë në Kombëtare, herët a vonë do të kenë shansin të luajnë për fanellën kuqezi. Për Sefën dhe Muzakën grumbullimi me ekipin përafqësues nuk do të ishte një lajm i ri pasi kanë qenë edhe më parë aty, ndërsa për sulmuesin e Dinamos, Fatjon Sefa, grumbullimi do të ishte një risi. Sulmuesi ka treguar një formë të mirë gjatë këtij sezoni teksa ka shënuar 9 gola me Dinamon, ndaj parë në të dhënat e tija (i gjatë dhe me cilësi para portës) por edhe fakti se në sulm veç Salihit, askush nuk jep garanci, mendohet se do të mund të ketë rast edhe për lushnjarin e bluve të kryeqytetit. Ndërsa dy mesfushorët e Tiranës njihen tashmë nga Kuzhe, por parashikohet se do ta kenë më të vështirë grumbullimin duke parë konkurencën e madhe që ekziston në mesfushën e ekipit përfaqësues.
 
Arjan Beqaj
Vjen nga një dëmtim i gjatë, i cili ndikoi jo pak në karrierën e tij si te Anorthosis në kampionatin qipriot por edhe në Kombëtare. Tashmë 36 vjeç, nuk dihet nëse Beqaj do të luajë edhe për kualifikimet e EURO 2012. Gjithçka do varet nga forma e tij sportive në muajin shtator kur fillojnë ndeshjet.
Isli Hidi
Ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Nuk ka treguar asgjë në ndeshjet e fundit kur ka luajtur për Kombëtaren dhe po vuan edhe formën e keqe të skuadrës së tij Krivbas në Ukrainë (me shumë gjasa bie nga kategoria këtë sezon). Gjithsesi është vetëm 29-vjeç dhe mund të grumbullohet rregullisht në Kombëtare.
Samir Ujkani
Është portieri shqiptar më në formë për momentin. Është titullar i padiskutueshëm te Novara në Serie C1 dhe arriti të marrë edhe fanellën Nr.1 edhe në ekipin përfaqësues. Me shumë gjasa në fund të këtij sezoni do kthehet te Palermo, skuadër e cila ka në pronësi kartonin e tij. E ardhmja e Kombëtares.
Armend Dallku
Në krahun e djathtë, në mungesë edhe të një mbrojtësi tjetër shqiptar, ai bën “ligjin”. Luan si titullar te Vorskla Poltava dhe shihet si i tillë në të gjitha ndeshjet edhe të Kombëtares. E megjithatë ka ende probleme në konceptimin e lojës ku hera-herës bën gabime krejt foshnjarake si dhe ndëshkohet shpesh me kartonë.
Debatik Curri
Te Vorskla Poltava luan si mesfushor ndërsa në Kombëtare ka mbajtur përgjithësisht qendrën e mbrojtjes. Është në një formë të mirë sportive dhe merkato verore pritet të jetë goxha impenjative për të. Lojtari kërkohet nga shumë skuadra elitare ndaj kjo mund të ndikojë pozitivisht edhe për përfaqësuesen.
Kristi Vangjeli
Edhe ky vjen nga një dëmtim i gjatë, i cili ka lënë pasoja në karrierën e tij. Te Aris i Selanikut edhe pas ndërrimit të trajenrëve (tashmë është Hektor Kuper) përsëri nuk arrin të luajë si titullar. Ka firmosur rinovimin para disa kohësh ndaj nuk pritet që shtatori ta gjejë tjetërkund.
  
Andi Lila
Është një futbollist i mirë, që punon shumë, por gjithsesi mbetet larg të qënurit titullar në Kombëtare. Po kalon një periduhë të keqe te Tirana, ashtu sikundër gjitha skuadra bardheblu dhe kjo ka ndikuar dhe mund të vazhdojë të ndikojë negativisht edhe në muajt e tjerë.
Mërgim Mavraj
Është mbrojtësi që i duhet Kombëtares. Është folur shumë për të kohët e fundit. Në federatë ka shumë që i mbajnë mëri për zënkën me presidnetyin para dy vjetësh, por ajo që është e rëndësishme është se Mavraj luan si titullar me Bokumin në Gjermani dhe vazhdon të disponojë pasaportë shqiptare.
Franc Veliu
Vlonjati po kalon një periudhë të mirë te Flamurtari por i duhet ende shumë kohë që të bëjë hapin e madh drejt një vendi si titullar në ekipin përfaqësues. Pozitiv është fakti se ai është në orbitën e Kuzhesë dhe nëse do vazhdojë të luajë mirë këtë pjesë të sezonit dhe të jetë pjesë e kuqezinjve.
 
Gentian Muça
Është një futbollist me të dhënë shumë të mira. Kishte kohë që në Superligë nuk shihej një lojtar si ai. Shtatlartë, teknik dhe që po fiton goxha eksperiencë. Provimin me Kombëtaren e kaloi që gajtë zborit të janarit në Antalia ndaj me shumë gjasa do të jetë pjesë e skuadrës për kualifikimet e EURO 2012.   
Ansi Agolli
Po kalon një periudhë negative te Krivbas në Ukrainë, ndoshta, pjesa më e keqe e karrierës së tij. Skuadra është në fund të tabelës ndërsa ai nuk ka luajtur asnjëherë si titullar. Megjithatë forma e tij do shihet në verë, ndërsa vendi në Kombëtare do varet edhe nga forma e Kristi Vangjelit.
 
Lorik Cana
Është i vetmi futbollist me të cilin mund të krenohemi. Titullar i padiskutueshëm te Sanderlendi por edhe një lider gati në të njëjtat nivele. Nuk dihet se ku do të luajë në mbrojtje apo mesfushë gjithsesi kjo do varet edhe nga impenjimi apo jo në Kombëtare i Mërgim Mavrajt.
Altin Lala
Është shumë pranë lamtumirës nga ekipi përfaqësues. Me shumë gjasa mund të mos jetë pjasë e skuadrës së Kuzhesë për kualifikimet e EURO 2012. Ka kaluar një dëmtim të gjatë dhe nuk ka luajtur fare këtë sezon me Hanoverit dhe nuk dihet ende koha e saktë e rikuperimit të tij.
Ervin Skela
Ndërrimi i trajnerit te TuS Koblenz nuk ka kaluar pa probleme edhe për 33-vjeçarin. Për disa ndeshje nuk ishte veçse një lojtar stoli dhe duke parë gjendjen e ekipit në fundin e tabelës mund edhe të bjerë nga kategoria. Gjithsesi vendi i tij në Kombëtare varet edhe nga forma Emilian Vilës, zëvendësuesi ideal i tij.   
Klodian Duro
Ka humbur reflekset e dikurshme dhe është shumë larg formës së tij të dikurshme. Te Apollon Limassol në Qipro ka humbur vendin e titullarit, ndaj shihet me dyshim edhe e ardhmja e tij në ekipin përfaqësues. Rreziku vjen nga zëvendësuesi i ti Elis Bakaj, lojtar që luan pa problem sa në të djathtë dhe në qendër. 
  
Ervin Bulku
Pa Lalën tashmë drejt largimit nga ekipi, ai është gati i pazëvendësueshëm në rolin e tij. Po kalone një periudhë të keqe në Ukrainë te Krivbas por me shumë gjasa vera do ta gjejë në nje skuadër tjetër, qoftë edhe në Shqipëri. Është vetëm 28 vjeç dhe –pëlqehet shumë nga trajneri Kuzhe.
 
Jahmir Hyka
Për të është folur pafundësisht deri një vit më parë. Por fakti se te Mainz nuk po arrin të shpalosë asnjë nga cilësitë e tij e ka vënë në pikëpyetje edhe vendin e titullarin në ekipin përafqësues. Gjithsesi, duke qenë një futbollist i ri, pritet të jetë pjesë e skuadrës për kualifikimet e EURO 2012.
 
Gilman Lika
Luan në një kampionat inferior te Boluspor në kategorinë e dytë turke por vetëm fakti se ai njohin mirë cilësitë sportive ka bërë që ai të vazhdojë të luajë për Kombëtaren. Ka kaluar një dëmtim serioz dhe nuk dihet ende sesa do të ndikojë kjo gjë në lojën e tij. Gjithçka do të shihet në muajt në vazhdim.
 
Emiljan Vila
Kalimi i tij te Lokomotiva Zagreb rezultoi një dështim total. Por fakti që u kthye të paktën në Shqipëri te Dinamo ku luan si titullar mund ti japë atij edhe një herë shansin e hovin për të synuar vendin e Ervin Skelës në Kombëtare. E megjithatë Kuzhe e pëlqen ndaj grumbullimin në skuadër e ka të sigurt.
 
Elis Bakaj
Është futbollisti më në formë për momentin. Me shumë gjasa do të jetë një pikë e fortë për fantazinë e skuadrës sonë kombëtare, por kjo do të varet shumë edhe nga ai vetë. Nëse vazhdon kështu vera mund ta gjejë në një ekip të huaj dhe vendi i titullarin në Kombëtare do të jetë edhe më i sigurt.
Hamdi Salihi
Tek Hamdi Salihi varet e ardhmja e sulmit shqiptar. Ka shënuar si asnjëherë tjetër këtë sezon në Austri dhe nuk është çudi që të pretendojë edhe “këpucën e artë” në këtë kampionat. Në Komëbtare ka një vend të sigurt, madje edhe kur skuadra mund të luajë për arsye taktike me vetëm një sulmues.
Erjon Bogdani
Në fund të sezonit do të jetë një futbollist i lirë dhe pa një kontratë. Nuk i dihet se ku do të shkojë por nga kjo gjë do të varet edhe aktivizimi i tij në Kombëtare. Mbetet alternativa e dytë e sulmit kjo edhe sepse Berisha e Kapllani nuk kanë treguar se janë të aftë që ta konkurojnë.
Edmond Kapllani
Shënoi vetëm para tre ditësh një gol me TuS Koblenz pas plot 641 ditësh. Aspak normale për jë sulmues por kjo tergon edhe formën mjaft të dobët të tij. Në fund të sezonit do të kthehet te Ausgburg dhe nuk dihet sesi do marrë karriera e tij. Nga kjo gjë do të varet shumë edhe grumbullimi në Kombëtare.
 
Besart Berisha
Një sezon totalisht për tu harruar edhe për të. Në disa intervista ka pohuar se do të qëndrojë te Arminia Bielefeld, por fakt është se këtë sezon ka luajtur vetëm një herë si titullar. Madje Kuzhe në miqësoren e fundit ndaj Estonisë nuk e grumbulloi fare me skuadrën. Në dyshim të madh për të ardhmen.
 Burimi: Albania-sport.comE Marte, 09 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›