“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga pasarela ujore në Tushemisht

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Tushemishti, 5 km larg Pogradecit, vijon të tërheqë mijëra turistë, duke u cilësuar si një ndër fshatrat më të vizituar në vend.
Këtë sezon të ri turistik në Tushemisht është shtuar edhe një atraksion i ri, pasarela e re ujore.
Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet pamje nga pasarela e re ujore në Tushemisht, ku qytetarët dhe turistët mund të shëtisin në këmbë, ose duke përdorur biçikletën.
Shtëpitë, rrugët e mjediset e Tushemishtit janë të përjetësuara nëpër skenat e dy filmave të njohur shqiptarë, që janë xhiruar atje: “Zonja nga qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati”.
Për të përjetësuar këtë fakt dhe për ta nderuar aktoren e madhe, Violeta Manushi – Teta Ollgën, kryepersonazhin e këtyre filmave, në sheshin e fshatit, pranë një burimi, ruhet shtëpia dhe është ngritur shtatorja e aktores së njohur. Ky shesh, me shtatoren e veçantë të aktores tashmë është një pikë referimi për shumë turistë.
Bregu i liqenit, burimet e ujit, klima e shëndetshme, kanë krijuar kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit në Tushemisht.
/k.s/r.e/