E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e kryeministrit: 'Ndriçim, shkëlqim, hapat më të mëdha që nga 1912'

Duke folur per bilancin e qeverisjes se tij kete vit, kryeministri Sali Berisha tha sot se "Unë mendoj se asgjë nuk mund të zbehë dritën, ndriçimin, shkëlqimin e vendimeve më të mëdha që bota e lirë ka marrë për Shqipërinë e shqiptarët nga viti 1912 deri më sot, sic është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO".
Deklaratat Berisha i tha një një intervistë për VOA News. Me tonet e tij të zakonshme euforike kryeministri u është përgjigjur disa pyetjeve të radios Zëri i Amerikës, pjesë nga e cila mund të lexoni më poshtë:
Fillimisht ai u pyet rreth bojkotit të opozitës dhe u mbrojt me natyrën sipas tij antidemokratike dhe antikushtetuese të kërkesës së opozitës.

S.Berisha: Pse është antidemokratike? Sepse po kërkon që parlamenti të cilin procedura juridike e pengon nuk e lejon, të cilin kushtetua nuk e lejon, të cilin vetë komisioni nuk e lejon, të cilin vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e lejon të merret me vendime gjykatash, të trajtojë një problem që e ka trajtuar gjykata. Unë të garantoj se po të mos ishte cështja e këtij parimi pranoja jo 100 herë por 500 herë hapjen dhe numërimin e kutive se cfarë më kushton mua. Këto janë gjëra tërësisht të pakonceptueshme. Por ama, ka 100 ditë që problemi i kutive është lakuar me 1 milion herë. A ke dëgjuar qoftë dhe një person të vetëm, qoftë dhe një zyrtarë të vetëm nga kongresi amerikan, nga parlamenti europian, nga institucionet ndërkombëtare që të kenë thënë: Le të hapen?

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar se kjo situatë mund të ndikojë në fazën në të cilën në jemi me BE. Do të plotësohet pyetësori dhe ka patur një deklaratë në këtë sens nga komisioneri Rehn se "nëse vazhdon kjo situatë politike ajo mund të bëhet pengesë, sepse janë kritere politike?

Sali Berisha: Ajo është një apel për opozitën sepse unë kam bërë një ofertë publike, prapë e ftoj të vij, prapë e ftoj të bëjmë komisionin hetimore, prapë garantoj t'i jap mazhorancën sic nuk e parashikon ligji, por është një çështje mes nesh dhe ka një mekanizëm për t'ja lënë atij mazhorancën në dorë. Të hetojmë cdo gjë tjetër për këto zgjedhje por jo vendimin e gjykatave. Të sjellë të formuluara të gjitha amendimet për sugjerimet që janë bërë dhe une ja pranoj sic m'i sjell. Testin zoti Rama duhet t'ja bëjë kësaj mazhorance te reforma, te ligjet, te debatet, te të gjithë por testin nuk mund t'ja bëjë duke i kërkuar një procedurë që zgjedh murin e qoshes së ndërtesës. S'mund ta marr unë atë, s'mund të them unë sot se sot unë mund të diskutoj me zotin Rama të kapërcej një vendim gjykate. Po pastaj? Nesër? Dhe ka një gjë. Ka një bojkot. Por ky bojkot ka zero mbështetje nga e gjithë piramida socialiste e zgjedhjeve që ka firmosur cdo procesverbal, ka zero mbështetje nga faktori ndërkombëtar. Atëherë nëse ne do të bëjmë pazare ky vend do të ketë ditë shumë të vështira. Çdo humbës i zgjedhjeve, pa asnjë shkak tjetër vec motiveve individuale personale do t'i pretendoj shumicës një, dy tre katër për të hyre në parlament.

Zoti Berisha ju jeni shprehur se do të zbatoni kushtetutën pikë për pikë, duke ju referuar momentit sipas të cilët kur kalojnë 6 muaj deputetët humbasin mandatin. Por nëse do vijnë 64 të tjerë, as këta nuk futen. Do vijmë në një moment kur praktikisht ky parlament nuk do të ketë më opozitë.

Jo, lexojeni mirë ligjin. Jo. Se, Kushtetua do të zbatohet. Dhe të jem i sinqertë. Në këtë cështje është bërë një interpretim shumë i gjerë i situatës. Kushtetuta thotë se mandate humbet kur deputeti nuk bën betimin. Eshtë shumë e qartë, shumë e prerë dhe është pika e parë kur deputeti humbet mandatin. Rregullorja e parlamentit e cila në vetvete është kushtetua e parlamentit ajo përcakton 6 muaj mungesë për t'u paraqitur dhe në këtë rast në opsionin më posibilist, është pranuar ky variant i dytë për t'u llogaritur. Por kushtetuta do të zbatohet.

Zëri i Amerikës: Z.Berisha, flitet në këtë rast se s'mund të dilet mbi vendimin e gjykatave. Megjithatë një projektligj i qeverisë që ka kaluar në parlament për disa ndryshime në Inspektoriatit të Ndërtimit, duke sikur i anashkalon gjykata kur thuhet se "Ankimi në gjykatë nuk pengon ekzekutimin e vendimit të Inspektoriatit"....

Sali Berisha: Të garantoj një gjë se titulli ekzekutiv është i përbotshëm. Po studiove për kuriozitet, ligiin tatimor, ligjin fiskal të Shteteve të Bashkuara është në shumë nene. Por titulli ekzekutiv nuk përjashton kategorikisht gjykatën. Dhe të gjitha pasojat, pas vendimit të gjykatës bien mbi atë që ka marrë vendimin arbitrar. Domethenë, tatimeve, doganave, inspektoriateve u është dhënë e drejta e titullit ekzekutiv, cka nuk është e policisë së shtetit, pra janë një formë e ndermjetme ku absolute është gjykata. Ky model ekziston në të gjithë vendet, përndryshe inspektoriatet nuk mund të funksionojnë. Por nëse ka dëmtuar me vendimin e tij ai përgjigjet një për një pas vendimit të gjykatës.

Zëri i Amerikës: Meqënëse jemi të Drejtësia. Zoti Berisha ka një ngërc të krijuar me konferencën gjyqësore, e cila duhet të emërojë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një deklarim tuajin, thate se ajo funskionon si NGO. Por si mund të bëhet një cilësim i tillë kur ajo është e përcaktuar në kushtetutë dhe përsa kohë ka patur dhe një ligj për të, është një institucion kushtetues?

Sali Berisha: Kushtetuta çfarë thotë? Propozohen nga konferenca gjyqësore. Por në kushtetutë nuk është institucion kushtetues konferenca gjyqësore. Sepse për të qenë e tillë duhet të kishte prerogative të tjera kushtetuese. Eshtë absolutisht identike sikundër ne themi në ligje me tre të pestat që propozohen nga shoqëria civile, borde të ndryshme. C'është shoqata. Nuk mund të konceptoj që një NGO, sepse ashtu është ajo, është shoqatë e komunitetit të gjyqtarëve. Kaq është. Nuk mund të konceptoj që ajo të rregullohet me ligj, domosdoshmërisht me ligj me tre të pestat, e drejta e saj. Me asgjë nuk mohohet që komuniteti i gjyqtarëve ta rregullojë atë sipas vullnetit të vet të padiktuar qoftë nga qeveria qoftë nga KLD qoftë nga askush tjetër. Unë këtë cështje e kam të konsultuar edhe me juristë shumë të shquar që kanë ndihmuar prej kaq vitesh drejtësinë shqiptare. Cfarë po bëjnë ata. Ata duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në KLD. Nuk ka diskutim se mbledhja e trupës së përgjithshme të tyre dhe vota e fsheshte është mënyra më demokratike e zgjedhjes. E përcakton këtë ligji apo statuti i funksionimit të saj kjo për mua nuk përbën një dallim. Ky është koncepti im dhe unë jam i bindur, thashë që e kam konsultuar me juristë me një eksperincë shumë të madhe në vendet e tyre. Nëse qeveria, KLD do i diktonte shoqatës, "Shiko se do i zgjedhësh në këtë mënyrë apo..." ajo do ishte ndërhyrje. Do mblidhen në formën më demokratike. Cila është ajo? Që nga lashtësia është që të mblidhen të gjithë e të votojnë. Janë 370 gjyqtarë., të votojnë..

Zëri i Amerikës: Duke u ndalur shkurtimisht në disa aspekte ekonomike. Ditët e fundit ka shkakatuar goxha debat rritja e cmimit të energjisë. Kam dëgjuar edhe kryetarin e ERE i cili është shprehur se kjo bëhët edhe për efekt të disa parregullsive në përllogaritjet e aseteve të CEZ, por edhe për shkak të rrjetit të amortizuar, arkëtimeve të munguara. Por nëse vazhdojmë me këtë lloj arsyetimi, rritje cmimi se nuk arkëtojmë dot, atëherë edhe kompania ceke mund të mos e shohë të arsyeshme të investojë se do i marrë me rritjen e cmimit vitin tjetër. Përse pjesa që paguan do të mbajë kusuret e pjesës që nuk paguan?

S.Berisha: Çdo vit është rritur çmimi i energjisë. Pse? Sepse ne kemi dalë në treg. Ne nuk kufizojmë më drita. Një pjesë e plotësojmë me prodhimin tonë. Pjesën tjetër e blejmë. Nuk ka asnjë lloj rruge tjetër për të përballuar kërkesat për energji vec rritjes së cmimit dhe madje me kujtohet se tremujorin e parë të këtij viti opozita kërkoi në mënyrë këmbëngulëse të rritej cmimi. Ne e shtymë. Edhe Banka Botërore e kërkoi. Nuk ishte gabim. U rrit cmimi 13 përqind. Sivjet është treg i favorshëm, por vjet e kemi blerë me 100 cent. Nëse do blihej me këtë cmim e do shisnim me 65-70 cent ku do i gjenim ato para?. Po i lëmë humbjet. Po vetëm ky fakt e imponon rritjen e cmimit.Enti rregullator është një lloj gjykate. Realisht është një lloj gjykate që i trajton këto...
Kjo rritje nuk ndikon në nivelin e jetesës e qytetarit. Por rritjet janë të domosdoshme. Tani si janë problemet mes CEZ dhe ERE nuk ndërhyj

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, rruga Durrës-Kukës.. Pak javë më parë pati një shembje ne njërën anë të tunelit. Cila është realisht situata dhe sa janë kostot e asaj që ka ndodhur atje?

Sali Berisha: E verteta është se ka patur një shembje të tunelit të pahapur. Një shembje jo e pa paralajmëruar, sepse u diktua ndoshta jo nga studimi gjeologjik por nga progresi në pune. Sepse shkembi ishte i shkërmoqur. Në këtë rast tuneli është shumë problematik. Ne kemi kontraktuar, në dijeninë tonë, ekspertin më të mirë të Europës, grupin më të mirë të Europës për tunelet. Një grup austruiako-gjerman, të cilët kanë ardh e kanë viztuar tunelin dhe kanë dhënë garanci se problemi zgjidhet. Kanë bërë projektin. Sipas parashikimeve tuneli do zgjidhet nga pranvera. Në gjeologji është si në mjekësi. Parashikimi është shumë i vështirë. Dhe këtu kemi të bëjmë me një formacion gjeologjik ... Sigurisht do ketë çmimin e saj por e para dhe kryesorja është që tuneli do të mbajë. Leverdia ekonomike e rrugës dhe e tunelit tejkalon cdo parashikim. Ata japin garanci se tuineli do të mbajë.

Zëri i Amerikës: Një tjetër çështje të cilën ju e keni mbrojtur me zjarr është lufta ndaj korrupsionit. Por në vlerësimin e sivjetshëm të Transaprency International Shqipëria ka humbur 10 vende. Si e shpjegoni këtë?

Sali Berisha: Si e shpjegoj faktin. Kjo qeveri është quajtur kampione në luftën ndaj korrupsionit po nga TIA. Cfarë unë marr për bazë? Unë marr për bazë një vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin. Në këto 100 ditë është bërë nje reformë jashtëzakonisht e rendësishme, cështja e transportit të zyrtarëve.. Një gjë është e sigurt në këtë luftë nuk mund të ketë kurrë armëpushim

Shënim i redaktorit: Marrë me shkurtime nga VOA Neës (pjesën për Paktin Detar, mund ta lexoni në një artikull të veçantë, në anën e djathtë të ekranit)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›