“Shqipëria është në proces industrializimi”
Konferenca për Sigurinë në Mynih
Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, duke folur për prezencën e tij në konferencën e Sigurisë që u zhvillua në Mynih. Shefi i qeverisë përmendi adresimin e Zëvendëspresidentit Joe Biden në këtë konferencë. Zëvendëspresidenti amerikan-tha Berisha paraqiti bilancin e mandatit 4 vjeçar në fushën e sigurisë në botë, ku theksoi rolin thelbësor të Europës, për paqen e stabilitetin në botë për promovimin e sigurisë, si një partnere domosdoshme e SHBA-së.
Sipas tij, Shqipëria mori pjesë në këtë konferencë si vend me një rritje ekonomike në vijim dhe që nuk e njohu recension. “Në Konferencën e Sigurisë, pa diskutim, kriza ekonomike ishte një nga çështjet kryesore dhe përveç saj, energjia pazgjidhshmërisht e lidhur me sigurinë. Ajo që mund t’ju them, për sa i përket krizës ekonomike, ishte se në dallim nga viti i kaluar, këtë vit tonet ishin qartësisht optimiste nga të gjithë oratorët dhe ajo seancë kishte për oratorë personalitete nga më të shquarat e fushës, siç ishin Robert Zoellick, ish-Presidenti i Bankës Botërore, Wolfgang Schäuble, ministri i Financave të Republikës Federale të Gjermanisë, bashkë-Presidenti i ‘Deutsche Bank’, etj. Unë edhe një herë dua t’ju them se çdo krizë ka sfidat e saj për t’u përballuar, por kjo kohë krize ka sjellë më shumë se kurrë në vëmendje të qarqeve akademike, të cilat janë shumë të rëndësishme, problemet ekonomike të saj, siç është borxhi, etj... Ato nuk janë studiuar ndonjëherë më me interes, sesa janë studiuar sot. Pak kohë më parë, një grup brenda Bankës Qendrore Evropiane ka botuar studimin për borxhin optimal. Dhe ata konkludojnë se borxhi deri në 67 për qind të GDP-së ka efekte pozitive. Dhe kjo thuhet nga Banka Qendrore Evropiane. Borxhi mbi 95 për qind të GDP-së, çka korrespondon me studimin tjetër themelor të Harward-it që thotë se 90 për qind është plotësisht i pranueshëm, pra, ky borxh mbi 95 për qind mund të përbëjë rrezik
Duke ndjekur këtë seancë ndjehesha i lehtësuar për efektin pozitiv të reformave në Shqipëri. Aty flitej vetëm për recesion, ndërsa Shqipëria është jashtë recesionit. Flitej për miliona e miliona të papunë, ndërsa Shqipëria, sipas Komisionit Evropian, është i vetmi vend që ka shënuar ulje të papunësisë. Flitej për domosdoshmërinë e ndërmarrjes së politikave riindustrializuese, Shqipëria është në proces industrializimi. Natyrisht, kjo situatë kërkon horizonte të reja dhe duhet t’i përgjigjemi, siç po i përgjigjemi, me reforma të reja. Disa vendime kanë hyrë në fuqi dhe të tjerat janë në përgatitje e sipër, si heqja e taksës për të gjitha llojet e makinerive, heqja e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që kanë një rrogë nën 300 mijë lekë, apo vendimi i ardhshëm për të lejuar sipërmarrjet të përdorin dividendin për krijimin e bizneseve sociale. Këto janë masa ndër më të guximshmet që janë marrë ndonjëherë nga ndonjë qeveri dhe masa që, në mënyrë absolute, përveç efektit imediat që do të kenë për një rritje me 10 përq ind të rrogave të sektorit privat, të mbi 200 mijë punonjësve, do të kenë efekt nxitës të fuqishëm në investime dhe krijimin e vendeve të punës”, tha kryeministri.
Berisha informoi deputetët e PD-së edhe për takimet dhe pikëpamjet e tij ecurinë e projektit TAP. “Natyrisht, interesi im i madh ishte edhe për Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe unë bëra takime me koordinatorin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të dërguarin special për çështjet ndërkombëtare të energjisë. Diskutova gjerësisht për këtë projekt dhe ecurinë e tij”, tha ai.
“‘Albanofobia’ persiston në rajon dhe ka potencialin e vet destabilizues”
“Në një seancë të veçantë, ku diskutohej për Ballkanin, paraqita qëndrimet dhe pikëpamjet e mia, tashmë të njohura, mbi zhvillimet pozitive dhe të rëndësishme në Ballkan, por edhe mbi shqetësimet dhe problemet që janë për t’u zgjidhur në të ardhmen. Mendoj se nga audienca aty pati një jehonë mjaft pozitive, pasi realitetet nuk janë asnjëherë për t’u fshehur, por realitetet janë për t’u paraqitur ashtu siç janë dhe unë, duke theksuar arritjet e mëdha, theksova se prapë ‘albanofobia’ persiston në rajon dhe ka potencialin e vet destabilizues. Ndaj unë solla në vëmendje të asaj audience të nderuar, problematikën reale të Ballkanit Perëndimor, në të cilin, sigurisht, shqiptarët janë në pozitë më delikate, sepse janë të ndarë në 5 shtete dhe në mënyrën më të paevitueshme, çdo zhvillim që ndodh në secilin territor ku banojnë shqiptarët prek tërësinë kombëtare, pasi tashmë është faktuar, edhe po të mos ishte etniciteti dhe identiteti kombëtar, vetë gjeografia në vazhdimësi ka ndikimin e vet të padiskutueshëm”.