“Shqipëria është një vend me shumëllojshmëri mineralesh”, Balluku: Shqipëria eksportuese neto e energjisë brenda 2030

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Ballukun prezantuan nga Fieri arritjet në prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë si dhe investimet e realizuara në këtë sektor, objektivat afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm brenda vitit 2030.
Gjatë fjalës të saj, Zëvendëskryeministrja Balluku tha se, “kjo është tryeza e energjisë që përfaqëson të gjithë bashkëpunimin me sektorin publik dhe privat, pasi kur vjen puna tek energjia kemi bërë një punë shumë të mirë, sa i takon përmirësimit të legjislacionit me BE.”
Investimet në sektorin energjetik shqiptar, vijon Balluk, në këto pesë vitet e fundit, kanë shënuar rritje dhe synimi ynë është për ta kthyer vendin në 2030 në një eksportues neto të energjisë.
“Kemi ngritur sisteme kontrolli, kemi investuar për rritjen e prodhimit energjetik dhe diversifikimin e energjisë, ndërsa nënvizoi se ambicia është për ta çuar vendin në një hap përpara për transmetimin energjetik, nisur nga pozicioni gjeografik dhe gjeopolitik.”
Zëvendëskryeministrja duke folur për gjendjen e sistemit energjik në kohën e marrjes së qeverisë, u shpreh se, “në vitin 2013 sektori energjetik shqiptar ishte në një kolaps të plotë ku humbjet në rrjet shënonte 45%, arkëtimet ishin deri në 75% në rastin më të mirë, dhe humbjet financiare shënonin 710 milionë euro, që impaktonin konsumatorin dhe bizneset.”
Sipas saj, nuk bëhet fjalë tha ajo që të kishte një rrjet të dixhitalizuar ku shkëputjet e energjisë elektrike ishin për disa orë gjatë ditës.
“Unë gjithmonë do e përmend që në atë kohë u krye edhe privatizimi i tre HEC-eve, Ulëza, Shkopeti dhe Bistrica, duke krijuar një boshllëk në të gjithë sistemin e prodhimit. Gjithashtu, u krye privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, që në atë kohë krijoi një situatë edhe më të rëndë në sektorin energjetik me luhatje të c çmimeve dhe paqëndrueshmëri për shërbim.”
Duke përmendur ndërhyrjet që janë bërë në qeverisjen e kësaj mazhorancë, Balluku tha se kemi bërë reformë të thellë në të gjithë sektorin energjetik.
“Kemi forcuar operatorin e shpërndarjes me fokus sistemin prodhues, KESH-in, ku investohet në rehabilitimin HEC-eve, duke nisur me Vaun e Dejës, të Komanit apo në Fierzë, për të krijuar një rikonstruksion të digave të kaskadës, ndërsa kemi investuar në digjitalizimin e proceseve. Ndërsa në 2019-n nisëm procesin për diversifikimin e energjisë elektrike dhe prodhimin e energjisë përmes parqeve fotovoltaike”, tha Balluku.
Duke treguar synimet për sektorin mineral, Balluku e vuri theksin që qëllimi ynë është përmbushja e kushteve për të pasur një sektor të unifikuar me leje të konsiderueshme minerale dhe jo fragmentime.
Balluku u shpreh se Shqipëria ka një nëntokë të pasur me shumëllojshmëri mineralesh.
“Shqipëria është një vend me shumëllojshmëri mineralesh. Kromi është ndër kryesorët. Kemi nevojë për investime në këtë sektor dhe përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE. Ligji i ri, me të cilin kemi nisur dhe jemi duke punuar, do bëhet në një dialog të hapur me gjithë aktorët.
Ligji i ri do të përfshijë stimul të ri në investime dhe masa për ruajtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore duke krijuar klimë më të mirë për investitorët. I kemi hedhur hapat e parë.
Nëse do kishim sektor të unifikuar me leje të konsiderueshme minerare dhe jo fragmentime, të cilat nuk janë tërheqëse për investitorët, atëherë e gjithë nëntoka shqiptare do të merrte një vlerë të shtuar duke u futur në zinxhirin e ekonomisë tonë.”, tha ajo.
Ajo theksoi se imazhi i vendit tonë në Evropë ka ndryshuar dhe sektori i energjisë shihet si vend i duhur për të investuar.
/rtsh.al/