E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Shqipëria fiton arsimin”, Basha: Do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe 50% të pedagogëve

Rritje me 60 % të pagave të mësuesve dhe 50 % të pedagogëve, parashikon plani i demokratëve për arsimin prezantuar nga Kryetari i Partise Demokratike Lulzim Basha. “Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar. Nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin”, ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra. Ky program do ti mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugës. Ne do të sjellim arsimim cilësor për të gjithë. As edhe një nxënës nuk do të lihet pas dore e të diskriminohet. Ne do të arsimojmë çdo fëmijë, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara. Do të japim bursë të plotë për çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 64 000 Lekë. Dhe gjysmë-bursa (50%) për studentët nga familje me të ardhura mbi 64 000 Lekë”, premtoi zoti Basha.
Lideri demokrat Basha shtoi se do të ketë praktika pune të paguara për studentët që bëjnë kërkime shkencore pranë universiteteve tona. “Financimi i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë. Nuk ka as edhe një arsye pse të mos i mbajmë të rinjtë tanë në Shqipëri, po për këtë na duhet të përmirësojmë arsimin e lartë”, tha ai.. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›