Shqipëria histori fitoresh ndaj Azerbajxhanit

Ndeshjet ndaj Azerbajxhanit kanë rezultuar gjithmonë pozitive për skuadrën kuq e zi të Shqipërisë. Në tre takimet e para kombëtarja shqiptare ka arritur po kaq fitore, megjithëse pa diferencë golash. Këto dy skuadra nuk kanë zhvilluar asnjëherë një takim zyrtar. Megjithëse në historinë e tyre Shqipëria dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar 3 takime, asnjëra prej këtyre sfidave nuk ka qenë ndeshje e vlefshme për eleminatoret e një kampionati Botëror apo Evropian. Sfida e sotme është e katërta mes këtyre dy kombëtareve dhe është njëkohësisht e para që zhvillohet në Azerbajxhan. Të gjitha sfidat mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit janë zhvilluar në një hark kohor prej 8 vitesh. Përpara 8 shkurtit të vitit 2000, kur është zhvilluar dhe sfida e parë mes dy kombëtareve, nuk ka pasur asnjë ndeshje mes këtyre dy shteteve madje as në rang klubesh. Trajneri holandez i Shqipërisë, Ari Han, është tekniku i katërt që drejton Shqipërinë në një ndeshje kundër Azerbajxhanit, pas shqiptarëve Medin Zhega e Sulejman Demollarit, si dhe gjermanit Hans Peter Brigel. Për teknikun Han kjo është sfida e parë në karrierë që zhvillon ndaj kombëtares së Azerbajxhanit. Deri tani në krye të kombëtares shqiptare trajneri hollandez ka zhvilluar 2 takime miqësore ku ka humbur ndaj Polonisë 1-0 dhe ka fituar ndaj Lihtenshtejnit 2-0.
Viti 2000: Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Takimi i parë historik midis dy vendeve, është zhvilluar në 8 shkurti të vitit 2000. Kjo ndeshje ka qenë e vlefshme për një turne miqësor të zhvilluar në Valeta të Maltës, ku përveç Shqipërisë e Azerbajxhanit, morën pjesë edhe Malta e Andora. Takimi i zhvilluar në stadiumin "Ta'Qali", në kuadër të Turneut "Kupa Rothmans", mes Shqipërisë së drejtuar nga Medin Zhega dhe Azerbajxhanit përfundoi me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të takimit për Shqipërinë e shënoi Edvin Murati në minutën e 37-të. Ky takim i dha Shqipërisë fitoren e trofeut të "Kupës Rothmans" , i cili është dhe trofeu i dytë ndërkombëtar për kombëtaren kuq e zi, pas atij në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946.
Viti 2002: Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Takimi i dytë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit është zhvilluar në Tiranë në 27 mars të vitit 2002. Në përballjen e dytë, Shqipëria drejtohej nga trajneri Sulejman Demollari. Kombëtarja kuq e zi e fitoi këtë takim me të njëjtin rezultat 1-0. Golin e vetëm për përfaqësuesen shqiptare e shënoi sulmuesi kryesor Igli Tare në minutën e 39-të. Në atë takim janë aktivizuar edhe Arjan Beqaj, Altin Lala, Ervin Bulku, Klodian Duro dhe Erjon Bogdani, të cilët ende luajnë për fanellën kuqezi. Për ndeshjen e sotme ndaj azerbajxhanit trajneri hollandez Ari han ka grumbulluar vetëm Klodian Duron dhe Ervin Bulku pasi tre të tjerët janë të dëmtuar.
Viti 2005: Shqipëri - Azerbajxhan 2-1
Takimi i tretë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit është zhvilluar në 17 gusht të vitit 2005 sërish në Tiranë. Këtë herë kombëtarja shqiptare drejtohej nga një teknik i huaj. Trajner i kuq e zinjve në atë ndeshje ishte gjermani Hans Peter Brigel. Për të tretën herë radhazi Shqipëria ia doli të ishte fituese ndaj Azerbajxhanit, megjithëse këtë herë kishte më shumë vështirësi. Miqtë e azerbajxhanit arritën të shënonin të parët që në minutën e dytë me anë të sulmuesit Azeri Takishzahda. Megjithatë kombëtarja shqiptare arriti të gjente foracat për të kthyer rezultatin në favor të saj. Për Shqipërinë realizoi në fillim Alban Bushi në minutën e 28-të, ky qe edhe goli i 13 i tij me fanellën e Shqipërisë. Golin e fitores për Shqipërinë në atë takim e shënoi mesfushori Lorik Cana në minutën e 72-të, ky qe njëkohësisht edhe goli i parë i Canës me kombëtaren shqiptar . Nga lojtarët e tjerë që ka sot në dispozicion trajneri hollandez Ari Han, kanë luajtur në atë takim portieri Isli Hidi dhe sulmuesi Edmond Kapllani.
- Statistikat me Azerbajxhanin
08.02.2000
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Edvin Murati 37'
Trajner: Medin Zhega
27.03.2002
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Igli Tare 39'
Trajner: Sulejman Demollari
17.08.2005
Shqipëri - Azerbajxhan 2-1
Shënues:Bushi 28', Cana 72'/ Takishzahda 2'
Trajner: Hans Peter Brigel
19.11.2008
Azerbajxhan-Shqipëri
Sot, ora 17:00
Trajner: Ari Han