E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria i bashkohet koalicionit ndërkombëtar për zhvillimin e kapaciteteve profesionale në sigurinë kibernetike

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informoi sot, se Shqipëria është anëtarësuar në International Coalition on Cyber Security Workforces (ICCSW), duke u bërë vendi i parë nga rajoni që i bashkohet këtij koalicioni ndërkombëtar për zhvillimin e kapaciteteve profesionale në sigurinë kibernetike.

“ICCSW udhëhiqet nga Departamenti Britanik për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji (DSIT) dhe bashkon qeveri e organizata që punojnë për ngritjen dhe ruajtjen e një fuqie punëtore të kualifikuar e të qëndrueshme në këtë fushë”, thuhet në njoftimin e AKSK-së.

Sipas AKSK-së, puna e koalicionit fokusohet në krijimin e një terminologjie të përbashkët për aftësitë profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira, përcaktimin e standardeve minimale të cilësisë për profesionistët dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet kuadrove kombëtare të sigurisë kibernetike.

AKSK, thekson në njoftim se “anëtarësimi në ICCSW mbështet vizionin e Qeverisë shqiptare për ta pozicionuar Shqipërinë si një qendër rajonale të dijes dhe ekspertizës në sigurinë kibernetike. Përmes këtij bashkëpunimi, vendi do të kontribuojë në zhvillimin e qasjeve dhe standardeve të përbashkëta ndërkombëtare, do të shkëmbejë ekspertizë me shtetet anëtare dhe do të forcojë përgatitjen e profesionistëve shqiptarë në këtë fushë”.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›