E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, i vetmi vend ballkanik- ngelës në BE

Agustin Palokaj, analist në Bruksel, në një intervistë për emisionin Shqip në Top Channel shpjegon opinionin e BE për Shqipërinë.

Arta Tozaj: Ju keni qene shume pranë deklaratave të Bashkimit Evropian, qofte të Komisionit apo institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian. Si e perceptoni atë çfarë po ndodh në Shqipëri duke patur parasysh këto lloj deklaratash.

Agustin Palokaj: Në fakt, ndonëse gjuha e Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian në përgjithësi duket paksa e komplikuar, teknike dhe burokratike, porosia ndaj Shqipërisë ka qenë shumë e qartë sidomos për klasën politike të Shqipërisë. Është kërkuar nga Shqipëria që të përmbushë ato kritere, të cilat i kanë përmbushur të gjitha vendet e tjera që kanë sot statusin e kandidatit. Pra, porosia ka qenë të tejkalojnë krizën politike, që të ketë funksionim të shtetit, të institucioneve demokratike të vendit, përfshirë qeverinë, parlamentin dhe të gjitha institucionet e pavarura, gjyqësorin. Të mos ketë ngatërrim të pushteteve, pra secili institucion të luajë rolin që ka në shtet, të ketë liri të shprehjes të garantuar, të mos ketë ndikime politike në gjyqësor dhe në media dhe kjo është mëse e qartë, pra nuk shoh ndonjë mesazh të paqartë këtu. Ajo që ka qenë e qartë në gjuhën e BE-së është se Shqipëria, shumicën e këtyre kritereve, nuk i ka përmbushur dhe është kritikuar për të gjitha. Është kritikuar se nuk funksionojnë institucionet demokratike të shtetit, pra parlamenti që është institucioni kryesor nuk funksionon, që ka ndikim nga politika në media, në gjyqësor dhe një vend i tillë nuk mund të meritojë marrjen e statusit të kandidatit. Kështu ka qenë porosia edhe për vende të tjera më parë, mirëpo kur i kanë përmbushur kriteret kanë marrë statusin e kandidatit.

Arta Tozaj: Në fakt, në rastin e opinionit të Komisionit për Shqipërinë është krijuar përshtypja, të paktën në shumicën e qytetarëve, se opinioni nuk ishte negativ në thelb, pra që Shqipëria sapo të kishte mundësinë e parë për të kapërcyer krizën politike do të merrte statusin kandidat. A e keni lexuar edhe ju kështu?

Agustin Palokaj: Jo, unë e kam lexuar në formë shumë të qartë sepse raporti është shumë i qartë, i shkruar me gjuhën diplomatike të BE-së pasi BE-ja gjithmonë përmbahet në gjuhë, mirëpo e lë porosinë e qartë për ata të cilëve u drejtohet dhe kjo është klasa politike. Deri më tani, unë kam lexuar katërmbëdhjetë opinione për katërmbëdhjetë vende dhjetë prej të cilave janë tashmë anëtare të BE-së. Opinioni ka një përfundim dhe ai është rekomandimi. Opinion pozitiv quhet vetëm ai që rekomandon dhënien e statusit të kandidatit dhe nisjen e negociatave të anëtarësimit. Mungesa e një rekomandimi të tillë në rastin e Shqipërisë dëshmon se raporti është negativ. Pra, në rastin e Shqipërisë formulimi se Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit kur të përmbushë gjërat e sipërpërmendura, tregon se Shqipëria nuk i ka përmbushur dhe me këtë fakt ai raport është negativ dhe nuk do të ketë opinion tjetër për Shqipërinë. Mund të ndodhë që në raportin e progresit, nëse Shqipëria deri atëherë i përmbush kriteret e mbetura, atëherë Shqipëria do të ketë mundësi të marrë rekomandimin e Komisionit për marrjen e statusit për kandidat. Për momentin, Shqipëria nuk i ka përmbushur këto kritere dhe është bërë vendi i vetëm, deri tani, i Ballkanit i cili ka pasur një opinion negativ. Kjo ka ndodhur në kohën e Luftës së Ftohtë me Greqinë kur Komisioni ka konstatuar se Greqia nuk i ka përmbushur kriteret, mirëpo atëherë është marrë vendim politik nga vendet anëtare të BE-së që me gjithë mospërmbushjen e kritereve, Greqisë ti jepet statusi i kandidatit. Kjo nuk ndodhi me Shqipërinë dhe nuk do të ndodhë në të ardhmen me asnjë shtet tjetër sepse rrethanat kanë ndryshuar dhe shtetet anëtare të BE-së janë shumë të kujdesshme duke insistuar në politikën e kushtëzimeve në procesin e zgjerimeve.

Arta Tozaj: Duke pasur parasysh konferencat për shtyp dhe raportet e ndryshme apo deklaratat e vendeve anëtare apo të Komisionerit, si e keni përkthyer ju kapërcimin e krizës politike. Si duhet të vijë kjo?

Agustin Palokaj: Nëse e gjykojmë në bazë të deklaratave të institucioneve evropiane mund të themi se në një mënyrë fajësohen të dyja palët, kjo është porosia e përgjithësuar që del në sipërfaqe, mirëpo bëhet e qartë se përgjegjësinë më të madhe e kanë ata që janë në pushtet sepse opozita e ka rolin e vetë që të vërë në dyshim pushtetin, që të kritikojë mirëpo po ashtu e ka gjithashtu vendin e vet në ato institucione ku i ka fituar votat. Pra, asnjëherë nuk ka munguar kritika ndaj opozitës pse nuk merr pjesë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në punimet e Kuvendit, mirëpo është thënë qartë se përgjegjësinë kryesore për tejkalimin e krizës e mban qeveria dhe partitë që janë në pushtet. Pra, kjo ka qenë e qartë në deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe është e qartë edhe sot. Dallim këtu bën Parlamenti Evropian ku për shkak të solidaritetit partiak kemi ndasi përbrenda Parlamentit Evropian dhe socialistet mbështesin opozitën në Shqipëri përderisa partitë e djathta mbështesin PD-në dhe qeverinë. Pra, Parlamenti Evropian duke pasur një liri më të madhe të shprehjes sillet në këtë mënyrë dhe solidarizohet me partitë simotra në Shqipëri. Mirëpo Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian kanë qenë gjithmonë të qartë. I takon qeverisë që të sigurojë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta dhe i takon qeverisë që të bëjë më shumë për të tejkaluar krizën dhe për të afruar opozitën.

Arta Tozaj: Konkretisht, çfarë instrumentesh ka qeveria për të gjetur zgjidhjen dhe kompromisin me opozitën?

Agustin Palokaj: Qeveria ka gjithmonë mekanizmat e pushtetit në dorë. Pra, është ajo e cila duhet ta luajë rolin e atij që ka marrë legjitimitetin e qytetarëve për të udhëhequr shtetin, mirëpo udhëheqja e shtetit nuk lejon keqpërdorime të instrumenteve të shtetit siç është Gjyqësori dhe Kuvendi. Rasti drastik që ka hasur irritim përbrenda BE-së është krijimi i Komisionit Hetimor përbrenda Parlamentit i cili nga disa, në mënyrë private, është quajtur si një inkuizicion pra, është thjesht një Komision politik e jo hetimor me qëllim të ndërhyrjes në punët e institucioneve të pavarura siç është Prokuroria apo policia që duhet të hetojë atë që ka ndodhur.

Arta Tozaj: Po i referoheni Komisionit Hetimor Parlamentar për 21 janarin?

Agustin Palokaj: Është çështja e 21 janarit mirëpo është një shembull konkret ku Shqipëria në sytë e Bashkimit Evropian ka bërë të qartë se qeveria nuk respekton ndarjen themelore të pushteteve pra atë Gjyqësor, Ekzekutiv dhe Ligjvënës dhe në Shqipëri është bërë një situatë ku nuk dihet se çfarë bën qeveria, parlamenti dhe prokuroria ndërkohe që duket se është Kryeministri ai që udhëheq edhe parlamentin gjë që nuk mund ta pranohet në një vend me demokraci parlamentare. Nga ana tjetër, qeveria është dashur të jetë më e gatshme që të bëjë hetimet e rasteve të keqpërdorimeve në zgjedhjet e fundit dhe i kemi patur ato rekomandimet e ODIHR-it të cilat sipas zyrtarëve të BE-së nuk janë adresuar ashtu siç duhet dhe koha ka kaluar. Tani, në prag të zgjedhjeve lokale, Shqipëria gjendet në një situatë ku nuk ka mjaft kohë për të adresuar të gjitha rekomandimet që janë bërë. Pra, është blerë kohë, është manipuluar opinioni dhe prapë them se kritikat ndaj qeverisë nuk amnistojnë në tërësi as opozitën ndonëse ata që e kanë pushtetin e mbajnë edhe përgjegjësinë më të madhe.

Arta Tozaj: Është krijuar përshtypja sikur gjuha e Komisionit apo e Bashkimit Evropian është e pakuptueshme ose e dyzuar

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›