Shqipëria meriton vizitën e Hillari Klintonit

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton mbërrin javën e ardhshme në Shqipëri në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Zyrtarja e administratës amerikane vjen në Tiranë, si tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy administratave, por edhe konfirmim i aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së
“Shqipëria do të jetë pjesë e turit të vizitave të Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton”. Pak muaj më parë në Uashington kryeministri Berisha i bëri ftesë Sekretares Amerikane të vizitojë Shqipërinë me rastin e kremtimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Pas takimit të atëhershëm, zyra e Kryeministrit konfirmoi se ftesës së ripërsëritur gjatë bisedës, Hillary Clinton i është përgjigjur pozitivisht dhe i ka premtuar Kryeministrit Berisha se do të jetë në Shqipëri.
Ndërkohë në një komunikatë për mediat të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se sekretarja Clinton do të udhëtojë në Ballkan për të dëshmuar edhe një herë interesimin, përkushtimin dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë rajon dhe të ardhmen e tij në integrimet evropiane dhe euro-atlantike. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, do të udhëtojë nga data 29 tetor deri më 2 nëntor për në Algjeri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci. Në Bosnjë, Serbi dhe në Kosovë, ajo do të shoqërohet nga shefja e politikës së jashtme te Bashkimit Evropian Catherine Ashton.
Në Tiranë, Sekretarja Clinton do të theksojë solidaritetin me Shqipërinë, aleate e NATO-s dhe do të marrë pjesë në kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me një fjalim në Parlament. Ajo po ashtu do të vërë theksin tek nevoja e bashkëpunimit më të fuqishëm politik dhe vendosjen e sundimit të ligjit, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit. Në Prishtinë dhe Beograd, teme e diskutimeve do te jene çështje të bashkëpunimit dypalësh si dhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, se Serbia dhe Kosova duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura dhe të avancojnë në dialogun e tyre, si dhe do t’i inkurajojnë palët në hedhjen e hapave konkret, që do tu mundësojnë të dyja vendeve të përparojnë në rrugët e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Berisha i uron mirëseardhjen sekretares Klinton
“Dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve”
Lajmi i vizitës së Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, mikes së shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, me ftesë të Kryeministrit Berisha, ka gëzuar shumë të gjithë shqiptarët si dhe përbën ngjarjen më të rëndësishme në kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kreu i qeverisë shqiptare duke i uruar një mirëseardhje të përzemërt Sekretares së Shtetit Hillary Clinton në Shqipëri thekson se kjo vizitë është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe kombeve tona, ndjenjave të ngrohta e miqësore dhe respektit që Sekretarja Clinton dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara ushqejnë për shqiptarët si dhe mbështetjes së çmuar që i kanë dhënë dhe i japin në mënyrë të vazhdueshme Shqipërisë dhe kombit shqiptar në përpjekjet për ndërtimin e demokracisë së bazuar në vlerat e tregut. Kryeministri Berisha thekson se vizita e Sekretares Clinton në kuadrin e 100 vetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, është një nder i madh, por dhe një rast i veçantë për qytetarët dhe autoritetet e vendit tonë, për të shprehur edhe njëherë mirënjohjen më të thellë ndaj mbështetjes së jashtëzakonshme dhe rolit kryesor që SHBA kanë luajtur këto 100 vite në përpjekjet e shqiptarëve për liri, dinjitet kombëtar dhe për integrim në institucionet euro-atlantike dhe evropiane.