E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia merr pjese ne Panairin e Berlinit

BERLIN-Shqipëria ka marrë pjesë në Panairin ndërkombëtar të Berlinit, që u zhvillua nga data 9 deri më 13 mars në qendrën e panaireve "Messe Dam" të Berlinit.
Vendi ynë u përfaqësua me anë të një stende me një sipërfaqe prej 117 metrash katror në formë ishulli. Pjesë e stendës së Shqipërisë, krahas Agjencisë Kombëtare të Turizmit ishin edhe një pjesë e rrjetit të agjencive tona turistike si "Albtours D", "Albania Explorer", "Shkodra Travel" "Europa Travel & Tours", "Elite Travel" , "Albania Experience", "Albania Holidays", "Concord Travel", "Sondor Travel", "A.T.H.S", "Attractive Travel". "Happy Tours". Pjesë e stendës ishte gjithashtu edhe kompania e transportit detar "Adria Ferries", Bashkia e Tiranës, hotel "Sheraton Tirana and Towers" dhe Parku Arkeologjik i Shkodrës. Gjatë konferencës së shtypit zv/ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, znj.Suzana Turku u shpreh se "për shumë kohë, turizmi është parë si një sektor shërbimesh i klasit të dytë. Ky ka qenë një gabim.
Turizmi është një treg mjaft konkurrues, që kërkon aftësi menaxhuese, talent dhe një qeveri që di të mbështetet në politikat e duhura. Turizmi është tashmë një element parësor në rindërtimin dhe ribalancimin e ekonomisë së vendit tonë. Qeveria shqiptare e konsideron zhvillimin e industrisë së turizmit si një ndër tri fushat kryesore për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit. Objektivi madhor është kthimi i vendit në një destinacion turistik kryesor mesdhetar. Për të arritur këtë, ne kemi marrë vazhdimisht masat e duhura, si në aspektin ligjor dhe institucional për të promovuar dhe lehtësuar rritjen e investimeve të huaja", - u shpreh ndër të tjera znj.Turku. E veçantë e këtij panairi ishte interesi mjaft i lartë nga ana e agjencive dhe vizitorëve polakë, të cilët shprehën një interes të madh për të vizituar vendin tonë. Arritje pozitive ka shënuar imazhi i stendës së turizmit shqiptar, e cila mori vlerësime të konsideru-eshme nga një pjesë e vizitorëve të saj. Gjatë katër ditëve të panairit u vu re një interesim mjaft i lartë si nga ana e vizitorëve të biznesit të përfaqësuar prej kompanive të ndryshme të marketingut, përfaqësuesve PR, mediave etj, si edhe nga ana e vizitorëve individualë, të cilët shprehën interes për potencialet dhe produktet turistike shqiptare.
(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›