E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nata e muzikës amerikane” hap siparin

Nga Albulena Nuredini më 19 mars 2011 në ora 15:17

Prej shumë vjetësh tashmë, aktivitetet e shumta koncertore në skenën tonë kanë sjellë artistë dhe vepra të ndryshme nga repertorët e pasur të kompozitorëve të njohur shqiptarë e botërorë. Orkestra Kamertale e Prishtinës e themeluar së fundmi, aktivitetin e saj e nis me “Nata e Muzikës Amerikane”, koncert i cili do të sjellë në skenë vepra të zgjedhura nga repertori amerikan. Bëhet fjalë për “Clarinet concerto” e kompozitorit Aaron Copland, “Adagio for Strings” e Samuel Barber dhe “Suite” (klezmeriane). Kjo e fundit i përket traditës hebraike, e cila është zhvilluar që në fillim të shek. të 20-të në hapësirat e Amerikës së Veriut.

Në mbrëmjen e 22 marsit (ora 20:00) në “Sallën e Kuqe” publiku i Prishtinës do të ketë mundësinë të shijojë interpretimin e artistëve të rinj kosovarë, të cilët do t’i japin jetë “institucionit muzikor” të Orkestrës Kamertale të Prishtinës. Ky koncert është organizuar në mënyrë kolegjiale nga organizatorët e “Art-project” dhe nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Drejtimi artistik i është besuar Genti Dollanit (klarinetist dhe dirigjent shqiptar), i cili ka një CV të pasur me aktivitete të ndryshme koncertore, brenda dhe jashtë vendit, e veçanërisht në Francë, ku aktualisht jeton dhe zhvillon veprimtarinë muzikore. Për të është përballja e parë me skenën dhe publikun e Kosovës. Ai do të paraqitet në duet me klarinetistin Blerim Emërllahu me veprën “Suite” (klezmeriane). Ky i fundit ka mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve të Tiranës, ato pas-Universitare në Itali në klasën e Piero Vincenti dhe ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh solistike dhe me formacione të ndryshme muzikore. Emërllahu nën shoqërimin e Orkestrës Kamertale, do të interpretojë “Clarinet Concerto” të kompozitorit amerikan Aaron Copland, vepër e cila në vetvete mbart elemente teknike dhe interpretative të një niveli të lartë artistik.

Binomi Dollani-Emërllahu “Natën e Muzikës Amerikane” e kanë bashkëpunimin e tyre të dytë (pasi në korrikun e vitit të kaluar interpretuan së bashku në Berat nën shoqërimin e një grupi instrumentistësh nga Franca).

Kurioz është fakti i pjesëmarrjes së violinistes së Orkestrës së Bilbaos Mariena Sata, e cila do të jetë në rolin e koncertmaestres së Orkestrës Kamertale. Në këtë rast do të mund të nis bashkëpunimi i Orkestrës sonë Kamertale me ato franceze.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›