E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëria, mikpritëse e një tjetër turneu kontinental

Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) ka rikonfirmuar besimin tek Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), duke i dhënë Shqipërisë të drejtën e organizimit të ndeshjeve të grupit të saj në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit të Nën-19-vjeçareve (U-19 – Femra). Një gjë e tillë është bërë e ditur nga organizmi që qeveris rrjetën kontinentale, që ka bërë të ditur se një nga grupet eliminatore do t’i zhvillojë ndeshjet e tij pikërisht në Shqipëri.

Në grupin G, vajzat kuqezi do të përballen me Poloninë, Austrinë dhe Ukrainën, me ndeshjet që do të zhvillohen me sistem grupi, nga data 8, më 10 prill 2022 në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës. Një short i vështirë ky për vajzat kuqezi, që sidoqoftë hedhin një hap të madh përpara, pasi i rikthehen konkurrimit në arenën ndërkombëtare, duke synuar të përfitojnë më tepër përvojë në kërkim të rezultateteve.

Kujtojmë këtu se, më herët, FSHV-së dhe Shqipërisë i janë besuar këto 3-4 vitet e fundit organizimi i veprimtarive madhore të rrjetës kontinentale. Kështu, në Shqipëri u zhvillua, në shtator të 2018-ës, faza finale e Kampionatit Evropian të Volejbollit për Nën-19-vjeçaret, por edhe organizmi i fazës finale të Kampionatit Evropian të Volejbollit për Nën-17-vjeçarët, që u mbajt në verë në Tiranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›