Shqiperia ndodhet afer nje pragu te ri, mandatin e dyte realizojme integrimin ne BE
Kryeministri Berisha, çel fushatën elektorale në Lushnje
“Katër vitet që vijnë janë vendimtare për zhvillimin e këtij vendi. Ne jemi afër një pragu të ri të madh, në të cilin ne do të realizojmë ëndrrat tona më të mëdha. Ne do të përgatisim Lushnjen dhe Shqipërinë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ndaj, unë dua t’ju garantoj se kurrë nuk marr përsipër ëndrra që nuk i realizojmë dot”.
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha çeli zyrtarisht dje në Lushnjë fushatën elektorale, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, duke prezantuar programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Gjatë një mitingu të jashtëzakonshëm në qendër të qytetit me qytetarët e Lushnjes, kreu i qeverisë Berisha garantoi se Partia Demokratike ka ndërtuar program të qartë që u përgjigjet problemeve të qytetarëve, problemeve të vendit, për t’u dhënë fund atyre brenda një periudhe të shkurtër, me destinacionin ambicioz, për të ndërtuar një Shqipëri të integruar, një Shqipëri pjesë e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian.
Kreu i qeverisë u shpreh se katër vitet që vijnë janë vendimtare për zhvillimin e vendit dhe se Shqipëria ndodhet afër një pragu të ri të madh, për të realizuar ëndrrën e madhe, Shqipërinë e integruar në BE.
“Katër vitet që vijnë janë vendimtare për zhvillimin e këtij vendi. Ne jemi afër një pragu të ri të madh, në të cilin ne do të realizojmë ëndrrat tona më të mëdha. Ne do të përgatisim Lushnjen dhe Shqipërinë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ndaj, unë dua t’ju garantoj se kurrë nuk marr përsipër ëndrra që nuk i realizojmë dot. Ne kurrë nuk kërkojmë atë që nuk na takon. Por, ne jemi popull i mundit dhe i djersës, jemi njerëz të punës, ne e meritojmë Evropën, Evropa është e ardhmja jonë”, u shpreh kryeministri.
Berisha deklaroi se për të realizuar këtë qeveria ka në programin e saj strategji të përcaktuara për hapjen e vendeve të reja të punës, të cilat sipas premtimit të kryeministrit do të jenë afro 200 mijë vende. Rritja e mëtejshme e pagave dhe pensioneve, sipas kryeministrit, do të jetë një tjetër pikë e rëndësishme e programit të ri qeverisës. Berisha tha se mandatin e dytë pagat dhe pensionet, investimet në infrastrukturë dhe zhvillimi ekonomik në tërësi e Shqipërisë, do të parakalojnë 6 vende anëtare të BE.
“Qytetarë evropianë, lushnjarë evropianë dhe shqiptarë evropian do të thotë që ju te keni vende pune. Katër vitet që vijnë ne do të krijojmë së paku 160 mijë vende të reja pune. Së shpejti do të nisin nga puna 104 hidrocentrale, në të cilat do të punësohen së paku 60 mijë burra dhe gra, djem dhe vajza. Unë jap fjalën ju se katër vitet që vijnë, jo vetëm do të rrisim rrogat dhe pensionet tuaja dhe do të barazohen pensionet e fshatit me ato të qytetit, por ne do të lëmë mbrapa jo dy vende siç i kemi lënë tani, por të paktën gjashtë vende të Bashkimit Evropian. Shqipëria evropiane, qytetari evropian do të thotë ju, burrat dhe gratë e Lushnjes dhe të mbarë Shqipërisë, të ecni në qytetet dhe fshatrat tuaja në rrugë të mira njësoj si në Evropë. Katër vite më parë, unë kam premtuar në ketë shesh katër mijë kilometra rrugë dhe ne kemi asfaltuar 5900. Unë jam sot këtu, për t’u zotuar para jush se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar në çdo qytet të këtij vendi. Nuk ka qytetar evropian, nuk ka Lushnje evropiane, nuk ka Shqipëri evropiane me baltë. Por, do të ketë vetëm asfalt. Qytetarë evropian do të thotë, para së gjithash, që ju të gëzoni disa lehtësira dhe disa të drejta, të cilat i gëzojnë edhe qytetarët evropianë. Kudo që ndaloj kam një premtim solemn për fshatrat e Shqipërisë; ne do t’i ndriçojmë njësoj lagjet e qyteteve dhe fshatrave tona dhe vetëm atëherë do të ketë Shqipëri të zhvilluar”, deklaroi kryeministri.
Berisha premtoi edhe fermerët se katër vitet që vijnë qeveria do të pesëfishojë grandin. “Ne do të financojmë çdo projekt që ata do të bëjnë për fermat e tyre. Në katër vitet që vijnë, Shqipëria nën ujë do të jetë motoja jonë. Ne ju garantojmë se do të subvencionojmë inputet dhe naftën tuaj. Le të përcaktojmë së bashku rrugën në mënyrë që paraja të shkojë tek ju dhe jo tek hajdutët”, shtoi kryeministri.
Berisha tha para banorëve të Lushnjes se “jam mes jush për të kërkuar mbështetjen dhe besimin tuaj për një marrëveshje të re dhe për një program të ri”.
“Një program jo të thjeshtë, por të vështirë; një program jo të lehtë, por përcaktues. Ky është programi për shqiptarin evropian, për lushnjarin evropian, për Lushnjen evropiane dhe për Shqipërinë evropiane, përcaktues për ne dhe për fëmijët tanë. Për ju dhe për mua, qytetari evropian do të thotë qytetari sepse edhe në Evropë me tryezën bosh”, u shpreh Berisha.
Kryeministri Berisha bëri edhe një rezyme të të gjitha arritjeve të qeverisë së drejtuar prej tij, gjatë mandatit që po mbyllet, duke vlerësuar investimet e realizuara, rritjen e pagave dhe pensioneve, reformat e thella dhe të pandalshme gjatë katër viteve dhe arritja madhore për mbarë kombin, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Vota për këtë qeveri, votë për
Shqipërinë e standardeve evropiane
Gjatë ndalesës në rrethin e Lushnjes, në kuadër të hapjes së fushatës elektorale, për zgjedhjet kuvendore në 28 qershorit, kryeministri Sali Berisha inauguroi rikonstruksionin e rrugës së fshatit Sulzotaj, në komunën e Tërbufit.
Në këtë komunë në katër vitet e qeverisjes demokratike është realizuar rikonstruksioni i pesë rrugëve të reja me një vlerë totale rreth 79 milion lekësh.
Në këto rrugë përfshihet rikonstruksioni i unazës veriore, asfaltimi i hyrjes në Tërbuf, rikonstruksioni i rrugës Cermë-Sektor si dhe rikonstruksioni i rrugës Sulzotaj me një vlerë 21.6 milion lekë. Është realizuar faza e parë e rikonstruksionit të kinemasë së komunës me vlerë 3 milion lekë, gjithashtu është rindërtuar rrjeti i kanalizimeve të komunës së Tërbufit, me vlerë 973 mijë lekë, si dhe është rikonstruktuar zyra e gjendjes civile me një vlerë 1 milion e 235 mijë lekë.
“Ne sot çelim gjithashtu këtu fushatën elektorale, në të cilën unë paraqes kandidat për deputet Daut Sulaj, një nga demokratët më të shquar të Lushnjes, demokrat i vendosur. Unë ju garantojë se zotin Daut do ta mbështesë për zgjidhjen e të gjitha problemeve tuaja. Ne nisim fushatën elektorale me një marrëveshje të re me ju, me një marrëveshje shumë të rëndësishme. Në marrëveshjen e parë që patëm katër vitet që shkuan, ne së bashku kemi realizuar disa objektiva shumë të mëdha, kemi kthyer në realitet ëndrra të mëdha, realiteti i madh është anëtarësimi në NATO i Shqipërisë. Anëtarësimi në NATO i jep Shqipërisë jo vetëm sigurinë më të madhe të të gjitha kohërave, anëtarësia në NATO i jep Shqipërisë një emër shumë të mirë, i jep Shqipërisë një pasaportë sigurie të madhe për investitorët e gjithë botës, për të cilët Shqipëria ka nevojë të jashtëzakonshme. Në këto vite kemi bërë ndryshime shumë të thella, kemi rritur rrogat, pensionet, kemi dyfishuar rrogat e arsimtarëve, të infermierëve, të mjekëve, kemi dyfishuar edhe pensionet e fermerëve. Në këto vite kemi investuar në çdo fshat të këtij vendi dhe u kemi faktuar fermerëve se ata nuk janë njerëz të harruar nga kjo qeveri, përkundrazi në konceptin e kësaj qeverie pa zhvillimin e qëndrueshëm, pa shndërrimin e fshatrave tuaja, pa zona me infrastrukturë moderne, të njëjta me ato të lagjeve të qyteteve, ne nuk e konsiderojmë shoqërinë të zhvilluar”, tha kryeministri.
Berisha u shpreh se vota e 28 qershorit, duhet të jetë votë për këtë qeveri, në mënyrë që të vazhdohet ndërtimi i Shqipërisë evropiane.
Kryeministri deklaroi rritjen e investimeve në infrastrukturë, për të kapur standardet e vendeve të BE.
“Unë ju garantoj për një zhvillim me disa standarde, të cilat ju duhet t’i gëzoni, pra ju duhet të gëzoni rrugë të mira, ju duhet të gëzoni ujë të pijshëm, ju duhet të gëzoni vaditje për tokat tuaja dhe të gjitha këto do t’i keni. Ju duhet të gëzoni shkolla të mira për fëmijët tuaj. Pra Evropa nuk është një mirësi abstrakte, është një mirësi konkrete në vatrën e çdo qytetari shqiptar. Ndaj dhe unë ju garantojë se kjo qeveri do të shndërroj çdo fshat të këtij vendi, do bëj që çdo fshat i këtij vendi të llamburitë, të xixëllojë, si një lagje e qyteteve të Shqipërisë”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Qeveria do të financojë mandatin e dytë çdo projekt
që synon të ndryshojë jetën e qytetarëve shqiptarë”
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës në komunës Dushk. Në këtë komunë për katër vitet janë realizuar 8 rrugë të reja me një vlerë pre 18.3 milion lekë, në këto rrugë përfshihen, segmenti i dytë i rrugës Gramsh, rruga e Thanasajt, rruga Zham-Sektor, asfaltimi i rrugës së Zhamës, si dhe i rrugës Zham Cermë, rrugët e varrezave të fshatrave Dushk dhe Gramsh, është rikonstruktuar qendra shëndetësore me vlerë 2.6 milion lekë.
Berisha u shpreh në fjalën e tij gjatë takimit me banorët se qeveria do të financojë në çdo komunë dhe fshat të këtij vendi, çdo projekt për të ndryshuar për mirë jetën e banorëve.
“Unë besoj se ky vend nuk do të jetë kurrë i zhvilluar, pa zhvillimin tuaj, pa shndërrimin tuaj në rastin e infrastrukturës, pra të rrugëve, të shkollave, ujësjellësve, kanalizimeve, njësoj si në lagjet e qyteteve tona. Pasi ti bëjmë këto , atëherë mund të themi lavdi Zotit ne jemi një vend i zhvilluar. Kështu që askush, asnjë fshat asnjë familje nuk do të ndihen të braktisur dhe të shmangur. Nisma jonë për katër vitet që vijnë, fshatrat shqiptarë duhet të llamburitin dhe të shkëlqejnë njëlloj si lagjet e qyteteve tona. Kjo nuk është një nismë e lehtë, jo. Ne këtë gjë e dimë njëlloj si ju, nuk është aspak e thjeshtë, por ama po të kthejmë sytë nga ato që ne kemi bërë këto katër vite, jemi absolutisht të sigurt se ne këtë do ta shndërrojmë në realitet”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha.
Kryeministri theksoi duke shprehur zotimin e qeverisë për furnizimin me ujë të çdo shtëpie në vend dhe njëherazi u shpreh për rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve, me synimin për të parakaluar 6 vende të Bashkimit Evropian.