E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI, anetareve te Femijerise Misionare : Nuk e prisja te behesha Pape, po Zoti me ndihmon!

Entuziazëm i madh dje paradite në sallën e Palit VI. Kremtohej festa “Fëmijët, misionarë si Pali”. Të pranishëm, 7 mijë fëmijë të veprës ‘Fëmijëria Misionare’, ardhur nga mbarë bota për të takuar Benediktin XVI e për të reflektuar së bashku për figurën e Shën Palit.
Salla ushtoi nga këngët e koreve e u mbush me ngjyra nga valavitja e flamujve të vendeve të ndryshme. Pastaj fëmijët jetuan çaste prekëse dëshmish e ndoqën videot mbi jetën e Jezusit e të Apostullit të Popujve. Takimi u hap me përshëndetjen, drejtuar Atit të Shenjtë nga prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Ivan Dias. Më pas e mori fjalën Papa, i cili iu përgjigj pyetjeve të fëmijëve për fëmijërinë e tij në Gjermani, për rëndësinë e lutjes e të veprimtarisë së përbashkët. Madje u foli edhe për emocionet e çastit kur u zgjodh papë, pasi iu drejtua pyetja: A keni menduar ndonjëherë se do të bëheshit papë? “Të them të drejtën, nuk do të kisha menduar kurrë se mund të bëhesha papë sepse, siç e kam thënë, isha fëmijë i thjeshtë, në një vend larg qendrave të mëdha, në një zonë të harruar. Ishim të lumtur që jetonim aty e nuk na shkonte mendja për gjëra të tjera. Duhet të them se nuk arrij akoma ta kuptoj sesi Zoti mendoi për mua, më caktoi për këtë mision, por e pranoj nga duart e Tij, edhe pse është diçka e habitshme, që më duket përtej forcave të mia, po Zoti më ndihmon!”.
Pasdite fëmijët shtegtarë ishin në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, ku morën pjesë në Meshën Shenjte, kryesuar nga Kardinali Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Gjatë kremtimit të rinjtë përsëritën premtimet e Pagëzimit dhe impenjimin e tyre misionar në gjirin e bashkëmoshtarëve.
Benedikti XVI do të shkojë në Republikën Çeke më 26 deri më 28 shtator/Papa priti dje paradite në audiencë Presidentin e Republikës Çeke, Václav Klaus, që shoqërohej nga bashkëshortja e një grup personalitetesh. E pikërisht sot Salla e Shtypit e Vatikanit njoftoi se Benedikti XVI, duke pranuar ftesat e Presidentit e të Konferencës ipeshkvnore të Çekisë, do të bëjë një shtegtim apostolik në Republikën Çeke më 26 deri më 28 shtatorin e ardhshëm. Gjatë shtegtimit Ati i Shenjtë do të shkojë në Pragë, në Brno e Starà Boleslav. Do të jetë i 13-ti shtegtim ndërkombëtar i Benediktit XVI, i cili do të ecë në gjurmët e Gjon Palit II, që e vizitoi tri herë Çekinë: më 1990, 1995 e 1997. Kanë kaluar 12 vjet që asokohe e tani Çekia përgatitet të presë Benediktin XVI.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›