Shqipëria në BE / Peleshi: Objektivi ynë, mbyllja e negociatave brenda vitit 2027!

U çelën sot punimet e Konferencës Ndërparlamentare “Agjenda Strategjike për Zgjerimin e BE-së dhe Anëtarësimin e Shqipërisë”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamenteve të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të Bashkimit Europian.
Në fjalën e hapjes, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, uroi mirëseardhjen e delegacioneve në Tiranë dhe theksoi se konferenca synon jo vetëm të prezantojë ecurinë e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit, por mbi të gjitha të krijojë një hapësirë për dialog, shkëmbim përvojash dhe diskutim mbi sfidat e procesit.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të parlamenteve dhe institucioneve europiane, Peleshi u ndal te roli i parlamenteve në procesin e integrimit dhe te mbështetja e marrë nga partnerët europianë gjatë kontakteve të zhvilluara gjatë vitit të fundit. Ai vuri në dukje se vetëm gjatë sesionit të kaluar ka zhvilluar vizita në Parlamentin Europian dhe në 14 parlamente të vendeve anëtare, duke theksuar mbështetjen e shprehur për anëtarësimin e Shqipërisë.
“Shqipëria ka vetëm një Plan A për të ardhmen e saj dhe ky destinacion është Bashkimi Europian”, u shpreh Kryetari i Kuvendit, duke theksuar se anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade dhe përfundimi i negociatave teknike brenda vitit 2027 mbeten objektiv strategjik kombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua rolit të Shqipërisë në rajon. Kryetari i Kuvendit nënvizoi angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal, promovimin e dialogut, rritjen e ndërlidhjes ekonomike dhe infrastrukturore dhe avancimin e perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër, Kryetari Peleshi foli edhe për përgatitjen e Kuvendit për anëtarësimin, përshtatjen e strukturave dhe kuadrit rregullator me standardet e parlamenteve të vendeve anëtare, si dhe për përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për rritjen e produktivitetit, eficencës dhe transparencës së veprimtarisë parlamentare. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e diplomacisë parlamentare si urë e qëndrueshme ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve anëtare e kandidate.
Në përfundim të fjalës, Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria e koncepton anëtarësimin si një proces të bazuar në meritë, në përmbushjen e standardeve dhe në progresin real të secilit vend kandidat.
“Shqipëria nuk kërkon privilegje. Shqipëria kërkon një vlerësim të drejtë të rezultateve të arritura”, u shpreh Peleshi, duke nënvizuar synimin që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian si një anëtare e përgatitur, e besueshme dhe e aftë për të kontribuar në forcimin e tij.”.
Diskutimet do të fokusohen gjithashtu në ecurinë e procesit të zgjerimit, përvojat dhe sfidat e vendeve kandidate dhe rolin e parlamenteve në avancimin e integrimit europian, në funksion të objektivit strategjik kombëtar për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.