Shqipëria në BE brenda pak vitesh? Kandidatja për Komisionere e Zgjerimit, Kos: Kapitujt mund të mbyllen në fund të vitit 2027

Në një seancë në Parlamentin Europian kandidatja për komisionere e zgjerimit e BE-së, sllovenia Marta Kos është shprehur se deri në fund te vitit 2027 mund të mbyllen te gjithë kapitujt për anëtarësimin në BE.
“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha Kos.
Sa i përket situatës mes Prishtinës e Beogradit ajo ka deklaruar se nuk do të ndiqte idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca. Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, deklaroi Kos.
Kos tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.