Shqipëria në Forumin Urban Botëror në Baku, Demo: Forcim i rolit tonë çështje si zhvillimi urban

TIRANË, 21 prill /ATSH-Arbi Fortuzi/ Shqipëria do të marrë pjesë në Forumin e 13-të Urban Botëror (WUF13), që do të zhvillohet në Baku, Azerbajxhan.
Forumi, një nga platformat më të mëdha globale i organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Njerëzore (UN-Habitat), pritet të mbledhë mbi 20 mijë pjesëmarrës nga më shumë se 160 vende të botës.
Në kuadër të kësaj pjesëmarrjeje, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, priti sot ambasadorin e Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov.
Demo bëri të ditur në rrjetet sociale se takimi u fokusua te bashkëpunimi mes dy vendeve dhe përgatitjet për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Forumin Urban Botëror (WUF13) në Baku.
Sipas tij, kjo është një mundësi e rëndësishme për të forcuar zërin e vendit në çështje kyçe si strehimi, zhvillimi urban dhe roli i pushtetit vendor në ndërtimin e qyteteve më të qëndrueshme.
Forumi i 13-të Urban Botëror (WUF13) do të zhvillohet më 17–22 maj 2026 në Baku dhe përbën platformën më të madhe globale për çështjet urbane. Ai do të bashkojë përfaqësues të qeverive, autoriteteve vendore, organizatave ndërkombëtare, ekspertë dhe aktorë të sektorit privat.
Tema e këtij edicioni, “Strehimi i botës: qytete dhe komunitete të sigurta dhe të qëndrueshme”, do të trajtojë sfida si kriza globale e strehimit, urbanizimi i shpejtë dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike në zhvillimin e qëndrueshëm.
Gjatë forumit do të zhvillohen rreth 40 sesione kryesore, si dhe dhjetëra aktivitete dhe ekspozita, të fokusuara në shkëmbimin e praktikave më të mira dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zhvillimit urban.
Forumi Urban Botëror është themeluar në vitin 2001 nga UN-Habitat për t’iu përgjigjur urbanizimit në rritje në nivel global. Ai është një platformë jo-legjislative që synon të ndajë njohuri dhe praktika për qytete më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe rezistente.
Takimi mes ministrit Demo dhe ambasadorit të Azerbajxhanit, Huseynov 1 nga 3/a.f/