E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Krijimi i Agjencisë së Shërbimeve Arsimore me miratimin e Komisionit Europian

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet u diskutua sërish sot projektligji për krijimin e Agjencisë së Shërbimeve Arsimore.

Në fjalën e tij kryetari i Komisionit, Luçiano Boçi tha se “dje patëm një parashtrim tuajin shumë të gjatë për kapitullin 26 të pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe është logjike që çdo ndryshim ligjor të jetë i përputhshëm me standardet e BE-së dhe unë vetë ju listova 6 problematika të konfliktit që ligji ka me standardet e BE-së duke nisur nga transparenca dhe duke nisur me konfliktin e interesit që keni ju si Ministri e Arsimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit (AADF) ”.

“Për të realizuar një përafrim me BE-në gjëja më e thjeshtë që na vjen në mendje ne si deputetë apo çdo qytetari është një krahasim me vendet e BE-së. Më thoni cili nga shtetet evropiane ku aspirojmë të shkojmë ne ka këtë model të një agjencie që përfshin edhe njohjen e diplomave që e kanë veç, edhe licencimet që i kanë veç dhe provimet e tjera dhe që ruajnë autonominë dhe pavarësinë. Një nga standardet kryesore që janë shkelur janë autonomia dhe pavarësia”, tha Boçi.

Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro citoi përgjigjen nga Komisioni Europian, i cili ka dhënë dakordësinë për këtë draftligj.

“Unë konfirmova edhe dje, do ta përsëris edhe sot. Të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që ne kalojmë sot dhe që kanë lidhje qoftë me një kapitull, qoftë me një kapitull tjetër, ne kemi detyrimin t’i dërgojmë përpara në Komisionin Europian për miratim. Dhe për ligjin në fjalë kemi marrë nga Komisioni Europian përgjigjen, të cilën po e përkthej drejtpërdrejtë: “Lidhur me projektligjin me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, nuk kemi asnjë pyetje”, pasi kemi shkëmbyer të gjitha komentet e nevojshme. Madje ka një filtër, që është Kryenegocatorja, Ministrja e Shtetit, e cila nuk lejon që të kalojë në Qeveri, dhe aq me pak të vijë në Kuvend, nëse nuk kemi marrë miratimin nga Komisioni Europian. Edhe ky projektligj ka kaluar të njëjtin filtër, e madje kishim detyrimin ta kalonim sa më parë”, u shpreh Kumbaro.

Më herët, ministrja Kumbaro u shpreh se miratimi i këtij ligji përmbyll detyrimet për Kapitullin 26, dedikuar arsimit, që do të thotë se do të jetë kapitulli i parë që do të përmbyllet në raport me negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin europian.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›