Shqipëria në NATO, bekim i historisë
Fillon Samiti i jubileut të 60 të NATO-s. Kreu i qeverisë përshëndet hyrjen e Shqipërisë në Aleancën e Lirisë. Sot mbahet seanca plenare, ku do prezantohet Shqipëria si shteti i 27-të anëtar i aleancës më të madhe ushtarake të botës.
TIRANE - “Zoti e bekoftë NATO-n, Zoti e bekoftë vendin tim”. Me këto fjalë, kryeministri i vendit, Sali Berisha ka përshëndetur dje për rrjetin ndërkombëtar televiziv CNN, hyrjen e Shqipërisë NATO, siç e quajti ai, Aleancën më të fuqishme ushtarake të të gjitha kohërave.
Shefi i ekzekutivit deklaroi se “nga tani liria e Shqipërisë, e ardhmja e Shqipërisë, do të ketë sigurinë, do të ketë mbrojtjen, do të ketë sigurinë e Aleancës më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave.
Deklarata e Berishës u bë në prag të fillimit zyrtar të Samitit të Strasburgut dhe Kehlit, ku liderët e vendeve anëtare të NATO-s u mblidhen në samitin historik që përkon me 60-vjetorin e krijimit të Aleancës.
Organizata, që tashmë ka 28 vende anëtare pas anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë dhe Kroacisë tre ditë më parë, do të diskutojë për sigurinë e burimeve energjetike, sigurinë kompjuterike dhe situatën në Afganistan.
Burime zyrtare të Kryeministrisë shqiptare bëjnë të ditur se sot Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në seancën jubilare të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Pallatin e Muzikës dhe Kongreseve në Strasburg, që mbahet me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Kryeministri Berisha do të përshëndesë mbledhjen e Këshillit dhe do të shprehë mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen në rrugën e tyre drejt përmbushjes së ëndrrës së tyre kombëtare, anëtarësimin në NATO.
Në samitin jubilar të NATO-s në Strasburg-Kehl, Shqipëria merr pjesë si anëtare me të drejta të plota.
Në përfundim të samitit, Kryeministri Berisha do të japë një konferencë për shtyp për median e akredituar në këtë samit.
Delegacioni shqiptar përbëhet nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, përkatësisht Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj.
Për herë të parë në këtë samit do të jetë i pranishëm edhe Presidenti amerikan Barak Obama. Ceremonia nisi dje në qytetin gjerman Baden Baden dhe Kelh për të kaluar gjatë ditës së sotme në Strasburg të Francës.
Gjatë mëngjesit të sotëm kryeministrat e vendeve anëtare do të nisen nga toka gjermane të shoqëruar nga Kancelarja Angela Merkel, e cila në shenjë paqeje do të shtrëngojë duart me Presidentin Francez Nikolas Sarkozi duke shënuar kështu simbolikisht, vlerën e paktit të paqes mes dy vendeve.
Vendosja rreth tavolinës në të cilën do të ulen krerët e qeverive bëhet në bazë të alfabetit. Pjesë e bisedimeve të djeshme ishin dhe emërimi i Sekretarit të Ri të Përgjithshëm në vend të holandezit, Jap de Hop Shefer, mandati i të cilit përfundon më 31 korrik.
Dita e dytë e samitit të Aleancës Veri Atlantike do t'i kushtohet Shqipërisë dhe Kroacisë që marrin vendin e tyre në NATO. Ndërsa ngritja e flamujve të të dy vendeve do të bëhet gjatë një ceremonie të veçantë më 7 prill.
Dy ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, në një mesazh drejtuar qytetarëve shqiptarë një ditë pas anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë dhe një ditë para Samitit historik të Strasburg-Kehl-it, tha se ishin reformat e realizuara me sukses nga kryeministri Berisha ato që bënë të mundur këtë arritje të madhe për vendin. Shefi i Aleancës vlerësoi se, ratifikimi i shpejtë i Protokollit të Anëtarësimit është një dëshmi besimi nga parlamentet e vendeve aleate, se Shqipëria ka plotësuar kriteret për të qenë anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Scheffer tha se, anëtarësimi i Shqipërisë është një rezultat shumë i madh, i arritur nga qeveria shqiptare, ndërkohë që shprehu bindjen se reformat do të vijojnë edhe në të ardhmen. Duke e vlerësuar rrugën drejt anëtarësimit si të gjatë dhe jo të lehtë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës tha se, Shqipëria ia doli në transformimin e shoqërisë së saj përmes reformave.
Në një intervistë dhënë për CNN Shefer përshëndeti edhe njëherë dje, hyrjen e Shqipërisë e të Kroacisë në aleancë.