Shqipëria në NATO, sot dy vjet nga anëtarësimi
TIRANË- Si sot, dy vjet më parë Shqipëria u rreshtua si vend anëtar i NATO-s, duke marrë pjesë me të drejta të plota në samitin e Strasburg-Këln. Anëtarësimi u cilësua e vlerësua si një arritje dhe një fitore e madhe për vendin tonë dhe u përshëndetë gjerësisht nga ndërkombëtarët. Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në vitin 2008, në samitin e Bukureshtit dhe më 1 prill të 2009 Shqipëria, së bashku me Kroacinë, dorëzoi në një ceremoni në Departamentin Amerikan të Shtetit dokumentet për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Pak ditë pas anëtarësimit, në shenjë simbolike, NATO ngriti flamurin e Shqipërisë përkrah atyre të vendeve të tjera të aleancës, duke e renditur kështu vendin tonë mes 27 anëtarëve të tjerë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.