E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria në “Wine Paris 2025”, për herë të parë si anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Verës

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Shqipëria po konsolidon promovimin ndërkombëtar të verës dhe po zgjeron tregjet e shitjes për produktet “Made in Albania”.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), bën të ditur se, Shqipëria për herë të parë si anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV) do të prezantohet në panairin “Wine Paris 2025”.

Në “Wine Paris 2025”, që mbahet në 10-12 shkurt 2025, në Paris – Porte de Versailles, Francë, Shqipëria do të prezantohet për herë të parë me verërat e saj unike, duke shfrytëzuar këtë anëtarësim për të rritur eksportet dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi me tregjet ndërkombëtare.

Shqipëria u bë shteti i 50-të anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV) më 16 gusht 2023, duke shënuar një hap historik që forcon pozicionin e saj në industrinë globale të verës dhe sjell përfitime të shumta për prodhuesit shqiptarë.

Përfitimet janë në përafrimin me standardet ndërkombëtare, duke rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë e verës shqiptare; qasje në studime dhe statistika globale, që ndihmojnë në zhvillimin strategjik të sektorit; lehtësim të depërtimit në tregjet ndërkombëtare, duke rritur besueshmërinë e prodhimeve tona si dhe pjesëmarrje në vendimmarrjen globale, duke ndikuar në politikat e industrisë së verës. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›