E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në rrugën e duhur drejt integrimit

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të veçantë Kryetarin e Komitetit Ushtarak te NATO-s, Gjeneralin Raymond Henault.

Duke vlerësuar arritjet e qeverisë shqiptare dhe hapat e ndërmarra prej saj në procesin e integrimit, Gjenerali Henault u shpreh se NATO ndan të njëjtën dëshirë me Shqipërinë për integrimin e saj në këtë organizatë. Zoti Henault theksoi gjithashtu se NATO do të mbështesë dhe përkrahë përpjekjet e Shqipërisë për integrim.

Gjenerali Henault shprehu vlerësimin e tij për nivelin e lartë të përkrahjes publike që gëzon procesi i integrimit në NATO, duke vlerësuar në të njëjtën kohë përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare për realizimin me sukses të reformave në të gjitha fushat.

Gjenerali Henault vlerësoi angazhimin dhe kontributin e dhënë nga Forcat e Armatosura Shqiptare në misionet paqeruajtëse dhe shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi se integrimi i Shqipërisë në NATO mbetet objektiv madhor kombëtar, si e ardhmja më e mirë për vendin.

Kryeministri Berisha e njohu gjeneralin Henault me disa prej arritjeve dhe sukseseve të qeverisë shqiptare në drejtime të rëndësishme, si në luftën me tolerancë zero, kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, korrupsionit, etj.. Kryeministri Berisha vlerësoi të një rëndësie parësore bashkëpunimin midis agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe agjencive të zbatimit të ligjit në vendet rajonale, bashkëpunim i cili e ka intensifikuar goditjen ndaj krimit të organizuar.

Kryeministri Berisha nënvizoi sukseset e shënuara në fushën e mbrojtjes dhe reformën e Forcave të Armatosura, reformë për të cilën Kryeministri u shpreh se do të shkojë drejt konsolidimit të mëtejshëm dhe modelimit përfundimtar të Forcave të Armatosura në një ushtri moderne, të vogël në numër, por tërësisht profesionale dhe të pajisur sipas të gjitha standardeve të kërkuara nga NATO. Në këtë kuadër Kryeministri e njohu zotin Henault me vendimin e qeverisë për rritjen e buxhetit për ushtrinë me 2 përqind të GDP, në vitin 2008.

Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse të NATO-s duke theksuar se do të trefishohet pjesëmarrja në Afganistan.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për zhvillimet në rajon, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në çështjen e Kosovës, për të cilën Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës në përputhje të plotë me planin e Ahtisaarit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›