E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri italian i Mbrojtjes Parisi rithekson mbështetjen e plotë të Italisë për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE

Kryeministri Berisha priti sot në mesditë ministrin italian të Mbrojtjes, zotin Arturo Parisi.

Ministri Parisi i shprehu Kryeministrit Berisha inkurajimin dhe mbështetjen e plotë të Italisë për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian. Zoti Parisi u shpreh se ndjehej i impresionuar nga zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se këto arritje do t'ia bëjë të njohur edhe vendeve të tjera. Italia, si vend fqinj më pranë me ju, mund të shërbejë si trampolinë komunikimi për t'u përcjellë edhe vendeve të tjera zhvillimet dhe arritjet në Shqipëri, tha zoti Parisi.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe ndanë të njëjtin vullnet për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Kryeministri Berisha i shprehu zotit Parisi falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë, duke theksuar se ndihma dhe kontributi i Italisë ka qenë i një rëndësie parësore në zhvillimin e Shqipërisë. Më tej, duke vlerësuar integrimin në NATO si objektiv madhor të qeverisë, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar në procesin e transformimit të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe shndërrimin e tyre në një ushtri të vogël, profesioniste dhe të standardeve të NATO-s si dhe rritjen e buxhetit për ushtrinë në masën 2 për qind të GDP-së në vitin 2008. Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit.

Kryeministri u ndal edhe në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, Kryeministri shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë midis agjencive shqiptare dhe atyre italiane të zbatimit të ligjit.

Bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet në rajon. Kryeministri u shpreh se Italia ka dhënë një kontribut të çmuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›