E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria nga rruga e shëmtuar por e vërtetë

Olson Lamaj

Valeria Dedaj

Olson Lamaj është një artist i ri i artit vizual. Ai është fituesi i Çmimit Ardhje për artin bashkëkohor, çmim që në vitin e tij të gjashtë po e mban zgjuar interesin e artistëve të rinj bashkëkohorë. Lamaj u prezantua me shtatë fotografi që janë pjesë e albumit Shqipëria nga rruga (2012). Albumi që përmban rreth 90 foto, është rezultat i një udhëtimi nëpër Shqipëri që synon të kapë jetën e qosheve të qyteteve. Cikli fitues në Ardhje ndalet në Tiranë. Autori e vënë veten në pozitat e një qeni që endet rrugëve të qytetit dhe prek indiferencën qytetare. Asgjë të jashtëzakonshme nuk ka në përmbajtjen e fotografive: dyer të vjetra, tubacione uji, mure të palyer, lagje të vjetra etj.. Ndihet mungesa e njeriut, e punës së tij.

Olsoni shfaq atë që është. Ndoshta fotografitë e tij përqendrohen në peizazhin urban, por ky libër është i lidhur ngushtë me mënyrën e jetesës ku jetojnë banorët e një vendi.

Veç fotografisë, Olsoni krijon pikturë, realizon video, instalacion dhe performancë. Është hera e dytë që konkurron për Çmimin Ardhje dhe fiton. Një bursë për rezidencë artisti, 6 javë në Nju Jork. Ka ekspozuar në Spanjë dhe Itali. Për më tepër kemi pyetur vetë Olsonin.

 

Cila është origjina e albumit Shqipëria nga rruga?

Frymëzimi për këtë libër më ka lindur nga libri Americans i fotografit Robert Frank. Ndërsa kompozimet dhe fotografitë kanë elementë të artit figurativ, të pikturës. Çdo fotografi është e kuruar në mënyrë që të krijojë imazhin e një pikture të vërtetë. Ndërsa këtë titull e mban pasi janë fotografuar pamje nga rrugët e Tiranës apo dhe të qyteteve të tjera. Duke u nisur nga rruga,  gjithmonë më ka interesuar të di se si një qytet kaotik arrin të gjejë një harmoni midis objekteve që përbëjnë peizazhin urban. Këtu ndalet fotografia ime.

 

Dhe ia arrin qëllimit duke e vënë veten në pozitën e një e qeni që endet rrugëve.

Më pëlqeu shumë si personazh, sepse duke udhëtuar nëpër rrugët e Tiranës, gjej veten dhe tek ky qen që endet në vazhdimësi. Qentë e rrugës i gjen lagjeve, nëpër shkallët e pallatit, brenda portave të shtëpive… Qeni është një kafshë që shëtit dhe njeh çdo cep të Tiranës, ashtu siç bëj dhe unë që udhëtoj nëpër periferitë e Tiranës për të kërkuar imazhet që duhet të fokusoj në aparatin tim.

 

Ka foto ku ndihet influenca e pikturës, si në rastin e portave.

Këto porta të fotografuara përbëjnë për mua një interes të veçantë pasi të japin përshtypjen e telajos boshe. Po të shikosh përtej tyre, të krijohet pamja e një realiteti, ashtu siç do ta sillte një piktor në telajo. Kjo ndihet gati në çdo fotografi të albumit. Unë kam dashur të përcjell çfarë kam parë, pa e transformuar. Sado e shëmtuar të jetë ajo që shohim, për mua është një e vërtetë e shoqërisë sonë.

 

Puna jote nga çfarë është ndikuar më tepër?

Nga fëmijëria dhe e kaluara ime. Unë jam rritur në lagjet e Tiranës. Lojërat e fëmijërisë, ëndrrat, ambienti ku jam rritur, janë disa elemente që ndikojnë në krijimin sa më individual të punëve.

 

Realizimi i një albumi është një gjë e rëndësishme për punën e një fotografi, po edhe e vështirë dhe e kushtueshme.

Albumi është realizuar në tre vjet. Edhe pse tani ka formën e një albumi, unë e konsideroj një libër pasi është një punë në vazhdimësi. Mbyllja e tij përfundon kur të gjej sponsor apo një shtëpi botuese të interesuar. Dëshira ime ngelet që të realizoj një libër artistik.

Pas studimeve në Itali, pse u ktheve në Tiranë?

Sepse Shqipëria, dua apo nuk dua, ngelet vendi im. Në Itali do të ngelesha një i huaj që nuk do të arrinte asnjëherë atë që duhet. Këtu ndihem më i vlerësuar nga ana profesionale.

Kjo rezidencë gjashtë javore në Nju Jork, çfarë mendon se do të të ofrojë?

Ballafaqimin me artistë dhe kuratorë që jetojnë në Nju Jork. Është një mundësi mjaft e mirë për të ardhmen. Ndoshta puna e një artisti shqiptar mund të mos jetë në shkallën e duhur, por atje ke mundësi për të parë dhe për të riparuar perfomancën tënde artistike. Ky konkurs është vetëm shtysë ose një hap për të vazhduar.

Çmendon prezantimin e kolegëve finalistë në Ardhje?

Ishin të gjithë të një niveli të lartë artistik. Punët e tyre janë prurje të veçanta për ambientin e artit shqiptar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›