Skanë më efekt, qeveria shfuqizon pagat e referencës

Mbledhje qeverie / foto arkiv
Emirjon Senja
Pesë vjet pas aplikimit dhe kundërshtimit të fortë të komunitetit të biznesit, por edhe institucioneve ndërkombëtare financiare, qeveria vendosi dje të heqë pagat e referencës duke mos detyruar më bizneset që të paguajnë nivele të paracaktuar detyrimesh për pagat e punonjësve të tyre.
Që prej vitit 2007, pavarësisht pagës me të cilën biznese të ndryshme paguanin punonjësit e tyre, ato u detyruan që të paguanin sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat personale bazuar mbi një nivel pagash të përcaktuara nga qeveria sipas sektorëve, zonave si edhe pozicioneve të punës. Një vendim i tillë shkaktoi reagimin e fortë të biznesit, të cilët e konsideruan këtë vendim një rritje të paarsyetuar të barrës fiskale të tyre nga qeveria. Revokimin e vendimit nr.285, datë 4.5.2007, të Këshillit të Ministrave, Për përcaktimin e pagës referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale, sipas nomeklaturës së veprimtarisë ekonomike, për të punësuarit në sektorin jopublik, që kryejnë punë të pakualifikuara e të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues e tekniko-ekonomik të tyre, – theksohet në vendimin e qeverisë.
Qëllimi i vendosjes së pagave të referencës nga qeveria ndërkohë ishte detyrimi i bizneseve për të deklaruar punonjësit sa më afër pagës së tyre reale, gjë e cila do të rriste më pas edhe të ardhurat në arkën e shtetit. Dhe në fakt kështu ndodhi. Një vit pas vendosjes së pagave të referencës, të ardhurat në buxhetin e shtetit nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale u rrit me 70 për qind. Por, pas kësaj, gjatë periudhave të mëpasshme është vërejtur një ulje e vazhdueshme e të ardhurave nga ky zë duke e bërë të pakuptimtë vendimin sipas Ministrisë së Financave. Vendimi e ka humbur kuptimin, pasi nuk janë reflektuar ndryshimet e ndodhura ndër vite në nivelin e pagës minimale, bazë kjo për punët e pakualifikuara, si dhe për të reflektuar këto ndryshime në pagat e grupeve të tjera të punonjësve të ndara në vendim sipas funksioneve dhe kualifikimit, – shpjegohet në relacionin që shoqëron vendimin e djeshëm.
Niveli i pagave, i deklaruar në tatime për efekt të pagesës së taksës që aplikohet në burim, në masën 10 për qind nuk përputhej me realitetin, pasi bizneset shmangin sa më shumë paraqitjen e saktë të shumës. Pjesë më e madhe e bizneseve deklaronin në bordero pagën minimale të lejuar për punonjësit duke ia dhënë dorazi atyre pjesën tjetër. Kur administrata tatimore vëren se pagat e deklaruara nga punëdhënësit jopublikë, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale të të punësuarve të tyre, nuk janë reale dhe nuk i përgjigjen vlerës së tregut për shërbimet e punësimit, ajo ka autoritetin ti rivlerësojë, sipas niveleve të pagave, të dhëna në këtë vendim. Paga referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të tatimit mbi të ardhurat personale për të punësuarit në sektorin jopublik, që kryejnë punë të pakualifikuara e të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues e tekniko-ekonomik, sipas nomenklaturës së veprimtarive ekonomike dhe të kërkesave të vendit të punës për kualifikim, – përcaktohej në vendim.
Kush përfiton nga vendimi?
Efekti pozitiv në drejtim të lehtësimit të bizneseve pritet të jetë tejet i papërfillshëm. Kjo, për faktin se gjatë këtyre pesë viteve, ato që kishin për të deklaruar pagat reale apo një page sa më pranë reales për punonjësit e tyre, e kanë bërë tashmë. Deputeti i Partisë Demokratike, anëtar i Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, Sybi Hida shpjegon se vendimi e ka realizuar tashmë qëllimin e tij. Ky është një vendim që nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh. Qeveria bëri të sajën duke lehtësuar biznesin, i mbetet biznesit tashmë që të tregohet luajal duke deklaruar punonjësit e tij, – shpjegon ai.