Shqipëria një ndër vendet me humbjet më të larta të energjisë elektrike/ Trefishi i mesatares së BE

Gati një e pesta e energjisë së futur në rrjetin elektrik shqiptar nuk arrin te konsumatori final, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me humbjet më të larta të energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Në periudhën 2023-2024, humbjet arritën në 19.4% të energjisë së injektuar në rrjet, më shumë se trefishi i mesatares së Bashkimit Evropian prej 6%.
Në të njëjtën kohë, kostoja e energjisë elektrike për bizneset shqiptare është afruar ndjeshëm me nivelin e BE-së, duke krijuar një kontrast mes efikasitetit të dobët të rrjetit dhe çmimeve relativisht konkurruese për konsumatorët jofamiljarë.
Në Ballkanin Perëndimor, humbjet mesatare të energjisë në rrjet ishin 15.2% në 2023-2024, ose rreth 2.5 herë më të larta se mesatarja e BE-së dhe dukshëm mbi nivelin prej 9.2% të vendeve fqinje të BE-së të përdorura nga OECD për krahasim. Shqipëria, me 19.4%, qëndron dukshëm mbi mesataren rajonale.
Vetëm Kosova ka humbje më të larta, me 21.9%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina regjistron nivelin më të ulët në rajon, 10.4%.
Humbjet reflektojnë si probleme teknike, të lidhura me infrastrukturën e vjetruar, ashtu edhe humbje joteknike, ku rol luajnë edhe sistemet e vjetra të matjes.
Por përmirësimi nuk ka qenë i mjaftueshëm për të ndryshuar pozicionin e vendit: Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të kenë nivelet më të larta të humbjeve në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, në ekonomitë e tjera të rajonit humbjet janë rritur, ndërsa mesatarja e Ballkanit Perëndimor ka mbetur praktikisht e pandryshuar krahasuar me 2014-2016. Në profilin e Shqipërisë, OECD e vlerëson performancën relative për humbjet e energjisë me 28.4 pikë kundrejt mesatares 100 të BE-së në 2023-2024, nga 23 pikë në 2014-2016.
Pra, ka përmirësim, por hendeku me standardin evropian vijon të jetë i madh.