E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, një rast i përsëritur në KE

 
“Shqipëria vazhdon të ketë probleme me konsolidimin e demokracisë së brendshme”, tha për gazetarët shqiptarë presidenti i Asamblesë Parlamentare së KE, De Puc
 
 
Nga Strasburgu
Rezear Xhaxhiu
 

 
Shqipëria vijon të përbëjë sërish rast në pallatin e Këshillit të Europës në Strasburg. E hëna solli surprizën e radhës. Si një vit më parë, kur delegacioni shqiptar, duke mbartur krizat e Tiranës, zbriti në ndërtesën që ruan demokracitë europiane dhe u gjend përballë një ngrirjeje të kredencialeve të tij, si rezultat i “motiveve substanciale”, çka do të thotë se europianët nuk falin dhe se lojërat politike që zhvillohen në periferi të tyre jo gjithnjë kapërdihen nga ta. Edhe pse Ilir Rusmali kërkoi të zbuste atë që ndodhi në zyrat e pallatit të Strasburgut, duket se ai dhe ekipi i tij do ta kenë të vështirë deri ditën e enjte, ditë kur rasti “Shqipëria” do të zbresë në hemiciklin e Këshillit të Europës për të diskutuar temën “Funksionimi i institucioneve demokratike në Shqipëri”. Së bashku me Bosnjën, Shqipëria vijon të përbëjë problem, duke u vendosur pas edhe disa vendeve të ish-Republikave të largëta Sovjetike, të tipit Armeni, Azerbajxhan apo Gjeorgji. Dhe përcaktimi ka ardhur i prerë dhe pa asnjë ekuivok: “Shqipëria vazhdon të ketë probleme me konsolidimin e demokracisë së brendshme”, tha një ditë më parë për gazetarët shqiptarë presidenti në largim i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luis Maria De Puc. Sipas spanjollit, “ne mbetemi të shqetësuar kur dëgjojmë për bojkot të institucioneve, ndaj jam i shtrënguar të them, se u takon aktorëve politikë vendas të bëjnë ç’është e mundur për gjetjen e një kohezioni për vetë shoqërinë, por edhe për politikën, e cila do të shërbente për gjetjen e një zgjidhjeje stabël dhe afatgjatë”. De Puc nuk ka dashur të hyjë në komente të tjera, por është mjaftuar duke thënë se do të jetë Asambleja, ajo që do të përcaktojë të enjten edhe qëndrimin zyrtar të saj në lidhje me klimën politike shqiptare.
Dhe në fakt, e enjtja do të jetë guri i provës për politikën shqiptare. Një debat i hapur pritet të zhvillohet në hemiciklin e Asamblesë, ku përfaqësues të forcave e grupimeve të ndryshme do t’i bëjnë skanerin përmes fjalimeve ndërhyrjeve e rekomandimeve, jetës dhe aktorëve politikë të Tiranës. Ka ndodhur shpesh një rast i tillë. Në ‘96-ën e largët, pas zgjedhjeve të kontestuara, ka pasur një debat të ashpër, po kështu më pas në ‘98-ën, e në formë ciklike edhe në vitet që do të pasonin, sa herë që Shqipëria mbërthehej në darën e krizave politike apo institucionale. Ajo çfarë pritet të ndodhë në debatin e së enjtes, duket se do të ecë paralel me frymën e draft-rezolutës, e cila u zbardh pak ditë më parë edhe në Tiranë. Por pritet të shihet se cilat do të jenë nuancat e reja, çka do të thotë se do të kemi një acarim të gjuhës në pallatin e Strasburgut, apo do të kemi një linjë thjesht këshilluese, që ecën paralel me pikat e projekt-rezolutës. Këtu mbetet për t’u parë edhe qëndrimi i shumë deputetëve të djathtë apo të majtë, të cilët janë suportuesit e drejtpërdrejtë të delegacionit të Rusmalit.
Mungesa e një përfaqësuesi të PS-së në pallat duket se do të jetë më shumë një disavantazh për socialistët, të cilët nuk do të kenë  mundësi të lobojnë live, por vetëm përmes telefonave nga zyra e Arta Dades në Tiranë. Nga ana tjetër duket se Rusmali dhe të tijtë do të punojnë fort për të zbutur disi vërejtjet europiane në drejtim të mazhorancës dhe të rolit të saj në krizën politike shqiptare. Nisur nga sa më sipër, nuk mund të presim lajme të mira të enjten apo edhe pas saj. Fakti që pas sesionit pritet të mbërrijë në Tiranë një trojkë evropiane, tregon se Strasburgu e ka marrë seriozisht rastin shqiptar. Kjo ofensivë diplomatike do të tentojë të përcjellë në vend rekomandimet e rezolutës ose thënë me fjalë të tjera, një përpjekje e tipit Vranicki për gjetjen e një zgjidhjeje. Dhe kjo është një procedurë normale e Këshillit të Europës ndaj vendeve anëtare të saj, sikundër është edhe Shqipëria qysh prej 1995. Atëherë kur bashkë me pranimin u vu edhe nën çadrën e “vendit të monitoruar”, medalje të cilën e mban akoma, edhe pse vende të tjera si Maqedonia apo Armenia etj., e kanë hequr që prej kohësh. Askush nuk mund të thotë se kur do t’i hiqet Shqipërisë kjo gjyle që tërheq prej më shumë se 15 vitesh, por nisur nga zhvillimet e fundit, vështirë se do të kemi lajme pozitive. “Ju mbeteni një rast i veçantë”, - u tha dje gazetarëve shqiptarë një deputet zviceran dhe në fakt, e enjtja e tregon këtë, kur të gjithë do të lakojnë për mirë apo për keq gjithçka ndodh në “fshatin” tonë të vogël.
 
 
Një turk në krye të Këshillit të Europës
42-vjeçari Mevlut Cavosoglu e ka parë dje veten në krye të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, kur u votua unanimisht si president i saj. Cavosoglyu bëhet kështu turku i parë që hipën në një kolltuk të tillë të lartë që prej krijimit të Këshillit të Europës në gusht të vitit 1949. “Unë vij nga një vend, i cili është i lumtur që prej mijëra vjetësh ka luajtur rolin e një ure mes dy kontinenteve”, tha në përshëndetjen e tij presidenti i ri i Asamblesë Parlamentare. “Ndaj më takon mua ta çoj më tej këtë ambicie politike dhe të jem edhe unë një urë mes popujve të Europës që jetojnë që nga tokat e ngrira të Arktikut e deri në plazhet e mrekullueshme të Antalias”. Njohës i mirë i çështjeve ekonomike, me një karrierë brilante politike në vendin e tij, por edhe në Këshillin e Europës, duket se Mevlut Cavosoglu do të ketë përballë tij disa sfida të rëndësishme, që kanë të bëjnë me ardhmërinë e funksionimit të makinës së stërmadhe të Këshillit të Europës. është fakt se në këto 5 ose 10 vitet e fundit ky organizëm duket se e ka humbur disi shkëlqimin dhe peshën e tij përballë institucioneve ekspansioniste të Brukselit dhe të Bashkimit Europian. Cavosglu garantoi se një nga prioritetet e Presidencës së tij dyvjeçare do të jetë vënia në jetë e Traktatit të Lisbonës, i cili sipas tij hap perspektiva të reja bashkëpunimi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›