E Diel, 1 Nëntor 2026

Paradigmat e mërgimit

SPROVA
 

 
Dr. Luan Topçiu
Ajo fjalë që sot përdoret aq dendur në jetën e shqiptarëve, por dhe shumë popujve të tjerë, si ekzil, mërgim, emigrim, arrati, syrgjyn, largim, zhdukje, zhvendosje nga vendi, merr forma nga më të ndryshmet. Po të kërkojmë motivet e mërgimit, e ndeshim si short, si aventurë, si opsion, si shpëtim, si shërim, si dënim, si mërzi, si ndodhi, si bravurë, si fshehje nga bota, si mërgim nga frika: mërgim si guxim, mërgim si arrati, si humbje, si gjetje, si rigjetje, si kuptim, si kotësi, si boshësi shpirtërore, si zili, si trill, si komoditet, si sfidë etj. Por në fund të fundit, kemi vetëm një emërtim të vetëm, apo mbase nuk kemi migrim, por emigrantë. Nuk kemi dukurinë, por shortin e akëcilit me ngjyra të personalizuara. Nuk kemi një shkak të vetëm, por shumë shkaqe në një rast të vetëm. Akëcili që ndërmerr një hap të tillë, do të kërkojë zgjidhjen dhe në mënyrë të pashmangshme - përballjen dhe njëkohësisht, do të përpiqet të zgjidhë një dilemë. Shpesh vihet në pikëpyetje fakti n.q.s. “ikacakët” janë atdhetarë apo jo, zgjedhja e tyre i kundërvihet vallë vendlindjes, a ka një kontradiktë në këtë ekuacion, në këtë zgjidhje. Shumë krenohen që duruan të mbeten në vendlindje dhe përballuan me stoicizëm vështirësitë, në emër të dashurisë për atdheun. Të tjerët që mbartën në shollën e këpucëve mënyrë tragjike atdheun me vete kudo që shkuan dhe vuajtën shumë për shkak të tij. Njëra palë mëshiron tjetrën, njëra palë akuzon tjetrën. Kësisoj krijohen dy botë shqiptarësh: një e brendshme dhe një e jashtme, që në mënyrë të pashmangshme marrin trajta të ndryshme. Migrimi na detyron të bëhemi të huaj. Një hap në një drejtim të caktuar hapësinor dhe shndërrohemi papritmas nga vendas në të huaj. Ne, që në cilësinë e një banori autokton, kultivojmë shpesh një hije të panatyrshme ksenofobie ndaj të huajve, gjendemi në mënyrë të beftë të huaj. është e pritshme të rrethohesh dhe të pritesh nga të njëjtat ndjenja që ke ushqyer vetë ndaj “të huajve” dikur. I huaji, i panjohuri mbart dhe një hije armiqësie. Ky status i ri mbase ndikon për formimin e modifikimin e një tjetër vetëdijeje. Nga kjo hipostazë e re mund të japim një tjetër përkufizim për të huajin, për vendasin etj. Migrimi është një vdekje për vendin që braktis, por mundet njëkohësisht të shënojë një lindje në rendin shpirtëror. Mund të shënojë një vdekje këtu, një lindje atje. Me zhvendosjen fizike i mërguari mbart në vetvete një hapësirë gjeografike dhe një kohë historike të patjetërsueshme, të mbrujtur në çdo qelizë të qenies. Në qoftë se për vendasin peizazhi është i mbushur me simbole dhe domethënie legjendash e kujtimesh kolektive, mitesh të përpunuara prej shumë brezash që ngarkojnë vetëdijen, për të ardhurin peizazhi shihet i çmitizuar, i zhveshur nga domethëniet dhe nga simbolika; viset e reja janë vetëm burime të ardhurash dhe kanë një përmasë të theksuar konkrete, vetëm fizike. Kësisoj relativizohen legjendat nga vendi nga vjen, por të duken pa kuptim mitologjia dhe legjendat e vendit që gjen. Në qoftë se largohesh nga një vend ku ka legjenda për besën dhe fjalën e dhënë, nderin e kodifikuar nga të parët e tu, në një vend tjetër ku mashtrimi konsiderohet shkathtësi, kemi të bëjmë me sistem vlerash të përmbysura dhe rrëzim të kodeve njëherazi. Nga një vizion i caktuar për jetën zhvendosesh në një tjetër, nga një sistem shenjash dhe kodesh në një tjetër, nga një hapësirë mendore në një tjetër, nga një edukatë fetare në një tjetër etj. Për pasojë, i ndodhur midis dy kodeve që kundërshtojnë njëri-tjetrin, ke fatin të mos marrësh seriozisht asnjërin, të shkarkohesh nga komplekset, nga paragjykimet, nga edukimi i rreptë. Ky është shpjegimi i mitologjisë së re të suksesit amerikan.
  Migrimi është një ushtrim i një ftillimi tragjik, vetëm nga postura e “të huajit” mund të zbulosh e të kuptosh që liria jonë është në realitet shuma e përcaktimeve që na ka rezervuar shorti: kombësia, shtetësia, raca, kultura, mentaliteti. Migrimi mund të gjenerojë një labirint hipostazash. Për të shpjeguar dukurinë duhet të kuptojmë burimet ontologjike. Sigurisht, mërgimi i sotëm me mërgimin e njerëzve nëpër histori ka ndryshime dhe të përbashkëta. Si mund ta kuptonte migrimin njeriu i Antikitetit, dhe si e kupton njeriu i sotëm! Optika e gjërave do të ndryshonte, vetëdija e përkatësisë në kulturën universale. Një largim nga vendi në kohën e mungesës së komunikimit ishte një humbje dhe një vdekje, një shkëputje radikale, si rënia në një pus informacional. Sot, në kohën e komunikimit modern dhe të shumëllojshëm, në kohën kur globi shndërrohet në një fshat global, dhe tipologjia e migrimit ndryshon. Njeriu i mërguar, përmes lajmesh, gjendet gjithmonë i mikluar nga vendlindja. “Duke filluar nga vitet 1950, asistojmë në një reduktim të hapësirës-kohë të njeriut, përmes ndërmjetësisë të asaj që quhet “pushtim i shpejtësisë”. Përmes zvogëlimit teknik dhe ekonomik të kohës dhe shpenzimeve të transportit asistojmë në lindjen e një bote, ku transmetimi i “lajmeve” është i menjëhershëm, ku të gjithë njerëzit janë të afërt dhe bashkëkohës me njëri-tjetrin”. (Gerard Leclerc, Mondializarea Culturala, Stiinta, Chisinau, 2004, fq. 8) Në bazë të këtyre proceseve komplekse dhe identitare lind ajo që quhet motërzim i kulturës. Qysh më tash shfaqet një numër i madh “diasporash”, rezultat i migrimeve të mëdha, që vënë në dyshim bazën hapësinore të identiteteve të vjetra. Pas rënies së Murit të Berlinit kalojmë jo vetëm ne, por të gjithë vendet që kanë qenë nën komunizëm, pa u ndier nga një botë ku predominon izolimi kulturor, në një botë ku dominojnë faktorët interkulturorë, nga era e karakterizuar nga autonomia kulturore e grupeve të izoluara tradicionale në erën e përgjithësimit të ndërmarrëdhënieve dhe komunikimeve. Kështu mund të bësh pjesë në një të ashtuquajtur “diasporë”, pjesë identitare e vendit të braktisur, dhe të jesh i vendosur në një hapësirë të re.
 
 
 
Teatri Kombëtar
 
“Virginia Woolf” vazhdon deri në fund të janarit
“Kush ka frikë nga Virginia Woolf” do të rishfaqet në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë edhe përgjatë kësaj jave, deri më 31 janar. Kjo vepër është vënë në skenë nga Kushtrim Bekteshi, një  regjisor i ri shqiptar nga Maqedonia. Vepra më e njohur e  dramaturgut amerikan Edward Albee interpretohet nga aktorët Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka. Titulli i dramës nuk ka të bëjë fare me autoren angleze Virginia Woolf, e njohur për idetë e saj në lidhje me emancipimin e gruas në jetën shoqërore. Drama trajton gruan në përgjithësi në ambientin e saj familjar, në luftë me problemet e përditshme, në raport me bashkëshortin dhe dyshimet që lindin në këtë marrëdhënie. Regjisori Kushtrim Bekteshit vlerësohet për talentin dhe pjekurinë e tij profesionale, si edhe nivelin bashkëkohor të inskenimit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në Shkup, ku ka marrë mësim edhe nga Unkovski, që është një regjisor shumë i njohur në Ballkan. Në Tiranë ai ka vënë në skenë “Xhaxha Vanja” të çehovit.
 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›