Shqipëria njeh Republikën e Sudanit të Jugut
Qeveria shqiptare mori dje vendimin për njohjen e Republikës së Sudanit të jugut. Në njoftimin zyrtar, të publikuar në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave, thuhet se ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave. Sipas këtij vendimi ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e mëtejshëm të tij dhe modalitetet përkatëse. Sudani i Jugut është shteti i 193 i njohur nga Kombet e Bashkuara dhe i 54 shtet afrikan. Më 9 korrik të këtij viti, hyri në fuqi marrëveshja e vitit 2005 dhe rezultati i referendumit të para pak muajve që e shkëputi Sudanin e Jugut nga pjesa tjetër e Sudanit. Rrjedhimisht Sudani i Jugut i mori Kosovës statusin e shtetit më të ri në botë.