Berisha: Bashkia Tiranë, lokomotiva e thithjes së investimeve të huaja
TIRANË- Në qendër të deklaratës së djeshme të kryeministrit Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, ka qenë raporti i fundit për investimet në botë, i organizatës UNCTAD të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit, Shqipëria ka tërhequr në vitin 2010, 1.79 miliardë investime të huaja direkte. “Kjo përbën një arritje shumë të madhe në përpjekjet e shqiptarëve për të realizuar projektin e tyre më të madh të të gjitha kohërave, Shqipëria - vend i zhvilluar. Në pesë vite të marra sëbashku, nga viti 2006 gjer në vitin 2010, investimet e huaja direkte në Shqipëri ishin mbi 4 miliardë dollarë. Pra, vendi që në tetë vite sëbashku mori rreth 300 milionë dollarë, merr në katër vite mbi 4 miliardë dollarë e konkretisht në vitin 2006 - 325 milionë dollarë, në vitin 2007- 656 milionë, në vitin 2008 - 988 milionë, në vitin 2009 - 979 milionë dhe në vitin 2010 - 1.97 miliardë dollarë. Një nga premtimet tona ishte shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja në rajon e më gjerë. Sot, kjo është realitet”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh ndër të tjera se është optimist për një riorientim të Bashkisë së Tiranës në këtë drejtim. “Në rast se 11 vite, qytetarët e Tiranës nuk kanë dëgjuar as edhe një herë të vetme fjalën investimet e huaja direkte në kryeqytet, për arsye tashmë të njohura të një klientele të ngushtë, që kërkonte që çdo hapësirë e çdo gjë ta dispononte për vete dhe shpallte antikombëtare çdo përpjekje, kjo situatë merr fund. Kryetari i ri i bashkisë dhe ekipi i tij ka të gjithë vullnetin dhe potencialet për ta shndërruar Bashkinë e Tiranës në një lokomotivë të shpejtë të thithjes së investimeve të huaja në Tiranë dhe në Shqipëri”, - tha ai.