Shqipëria nuk kërkon ‘lekë’

Lorik Cana ka dalë në mbrojtje të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e cila ditëve të fundit nga shumëkush po fajësohet se deri më tash ka humbur shumë futbollistë cilësorë shqiptarë, si Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Behramin, etj, për shkak se u ka kërkuar para për t’ua dhënë nga një fanellë kuq e zi.
Mesfushori kosovar akuzat e tilla ndaj FSHF-së i ka konsideruar shumë të ulëta, kur është pyetur se ka dhënë para për t’u bërë pjesë e kuqezinjve.
“Kush, unë? Mos u tallni, kam 10 vjet që jam në Kombëtare, ndërsa para meje kanë qenë Arian Beqaj dhe Besnik Hasi. Në ekipet e moshave ka shumë futbollistë, të cilët vijnë nga trojet shqiptare, por nuk kam dëgjuar se dikush duhet të paguajë për të qenë futbollist i kësaj skuadre. Jo, janë të gjitha thashetheme”, ka thënë Cana për Sportin Shqiptar, duke e përgënjeshtruar kosovarin e Zvicrës, Granit Xhakën dhe babain e tij, të cilët tërthorazi kanë pohuar se 19 vjeçari nuk i është bashkuar Shqipërisë, ngase Armando Duka iu kishte kërkuar para.
“Sa për Xhakën më duhet të them se është një talent në futboll dhe një talent nuk ka mundësi dhe nuk mund e duhet të paguajë para për të qenë futbollist i Kombëtares shqiptare. Ai është një futbollist i shkëlqyer, andaj askush nuk mund t’ia mohojë të qenit futbollist i Shqipërisë. Nuk ka asnjë mundësi që presidenti t’i ketë kërkuar 25 mijë euro që ai ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare, siç kam lexuar nga mediat nëpërmjet babait të tij”, ka pohuar Cana i cili nuk e përjashton mundësinë që dikush të jetë munduar të përfitojë para nga lojtarët e atillë në kurriz të Dukës pa e ditur ky i fundit.
Madje, kapiteni i kuqezinjve e ka shprehur pakënaqësinë e tij që kjo temë është hapur në kohën kur Kombëtarja e Shqipërisë po përparon.
Ai ka folur rreth aventurës së re të Shqipërisë, e cila porsa i ka filluar kualifikimet për botërorin ‘Brazili 2014’ në Grupin E. Deri më tash kuqezinjtë e kanë mposhtur Qipron, por së fundmi pësuan disfatë nga Zvicra në Luzern. Megjithatë, mesfushori i Lazios është i kënaqur me paraqitjet e deritanishme të skuadrës së tij.
Sipas tij, Shqipëria është paraqitur denjësisht përballë qipriotëve e zviceranëve, derisa ka theksuar se skuadra ka nevojë të përmirësohet goxha shumë në repartin defanziv.
Ish kapiteni i PSG-së, i Olimpique Marseillet dhe i Sunderlandit ka thënë se skuadra tashmë ka hyrë në borxh te tifozët e saj, që i zhgënjeu me humbje në Luzern. Por, Cana beson se Shqipëria do ta kryejë borxhin ndaj tifozëve të vet në tetor, kur si vendas do të luajë ndaj Islandës e Sllovenisë.