E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka portier, mbron trajneri!

Dy portierët munguan për shkak të obligimeve tjera, andaj menaxheri i skuadrës Penzance, John Dent, vendosi t’i veshë dorezat dhe të hyjë në portë. Strategu i ekipit nga liga e 11-të e futbollit anglez ishte portier para pensionimit të tij më 1998. 57 vjeçari hyri në histori si lojtari më i vjetër që luajti në ‘Peninsula’ dhe pranoi katër gola në humbjen nga Liverton Town. Ai është zotuar se nuk do të mbrojë më.

Ish portieri i Penzance, John Dent, u emërua në postin e menaxherit të klubit nga South West Peninsula League Division One West (liga e 11-të e futbollit anglez) në fillim të muajit shtator dhe menjëherë shënoi një rekord të ri.

57 vjeçari u bë portieri më i vjetër në histori të ligës Peninsula, kur startoi takimin e skuadrës së tij Penzance kundër Liverton Town fundjavën e shkarkuar. Arsyeja ishte aksidentale pasi Penzance nuk kishte në dispozicion portierë, të cilët munguan për shkak të obligimeve tjera.

Dent, i cili e përfundoi karrierën e tij si futbollist në moshën 43 vjeç më 1998, pranoi katër gola vetëm gjatë pjesës së parë, por i pamundësoi Livertonit të shënojë sërish në pjesën e dytë, kur Penzance u paraqit më mirë dhe reduktoi disavantazhin e thellë në humbje 4-2. Dent vendosi të paraqitej në portë pasi mësoi se dy portierët e ekipit, Paul Williams dhe Gavin Power, nuk ishin në gjendje të udhëtojnë për shkak të obligimeve tjera.

Ai tha: “Bisedova me sekretarin tonë (John Mead) dhe e njoftova se do të paraqitem në portë, por kërkova prej tij që ta mbante të fshehtë nga gruaja ime. Ishte qesharake sepse në rrugë drejt portës, një prej futbollistëve tanë, Luke Rudkin më pyeti nëse ndonjëherë jam paraqitur në portë, që tregon se sa më të rinj ishin futbollistët e tjerë për dallim nga unë”, deklaroi Dent për të përditshmen angleze Daily Mail.

“Kur Liverton kaloi në epërsi 4-0 mendoja në vete ‘çka dreqin jam duke bërë’, por fatmirësisht ne luajtëm shumë më mirë në pjesën e dytë. Portierët nuk erdhën për shkak të obligimeve të tjera? Po, janë probleme të klubeve nga ligat inferiore”, përfundoi Dent i cili u zotua se nuk do të mbrojë më, andaj kjo nënkupton se ai do të kërkojë nga portierët e tij të aranzhojnë më mirë obligimet e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›