E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria përafron legjislacionin me BE për mbrojtjen e pyjeve, gati rregullat e reja për sistemin “Kujdesi i Duhur”

Ministria e Mjedisit ka përgatitur një projektvendim të ri i cili synon të rregullojë tregtimin e produkteve pyjore dhe të parandalojë shpyllëzimin e degradimin e pyjeve. Ky projektligj e përafron legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian, duke vendosur standarde të forta gjurmueshmërie dhe kontrolli për mallrat që hyjnë apo dalin nga tregu shqiptar.

Dokumenti, i cili mban firmën e Ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, përbëhet nga 9 krerë, 38 nene dhe 6 anekse, dhe shtrin zbatimin e rregulloreve evropiane EUDR dhe skemës së licencimit FLEGT në Republikën e Shqipërisë.

Qëllimi i projektvendimit dhe mbrojtja e ekosistemeve

Fokusi kryesor i këtij projektvendimi është bashkërendimi ndërinstitucional dhe krijimi i një baze të fortë ligjore për tregtimin e ligjshëm të lëndës drusore, duke shmangur interpretimet e paqarta në praktikë.

“Qëllimi i këtij projektvendimi është që të përcaktojë rregullat dhe procedurat për zbatimin në Republikën e Shqipërisë të Rregullores (BE) 2023/1115 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 31 maj 2023, si dhe të Rregullores (KE) nr. 2173/2005 për krijimin e skemës së licencimit FLEGT, dhe të rregullojë autoritetet dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e tyre.”, theksohet në projektvendim.

Përveç rregullimit të tregut, nisma ka një objektiv të qartë mjedisor në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të fondit pyjor kombëtar. Sipas relacionit shpjegues, akti synon:

“të kontribuojë në parandalimin e shpyllëzimit dhe degradimit të pyjeve, në reduktimin e ndikimeve negative mbi klimën dhe biodiversitetin, si dhe në garantimin që mallrat përkatëse dhe produktet përkatëse të vendosura në treg ose të eksportuara të jenë në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.”

Detyrimet e reja për bizneset, nga gjurmueshmëria te “Kujdesi i Duhur”

Projektvendimi sanksionon detyrime specifike për operatorët dhe tregtarët që veprojnë në këtë sektor. Përmes sistemit të “Kujdesit të duhur” dhe rregullave minimale për gjeolokacionin, institucionet do të vlerësojnë rrezikun që produktet të jenë marrë nga burime të paligjshme.

Për të lehtësuar barrën administrative, akti parashikon regjime të thjeshtuara për operatorët parësorë mikro ose të vegjël, të cilët mund të paraqesin një deklaratë të thjeshtuar vetëm një herë. Gjithashtu, vendoset një sistem i qartë për verifikimin e licencave FLEGT pranë autoriteteve doganore për importet e produkteve të drurit nga vendet partnere.

Gjithashtu, dokumenti garanton të drejtën e subjekteve tregtare për ankimim administrativ dhe gjyqësor në rastet kur autoriteti kompetent vendos masa korrektuese, të përkohshme ose sanksione administrative.

Institucionet zbatuese dhe kostoja financiare

Për zbatimin dhe monitorimin e kësaj kornize të re ligjore është ngritur një rrjet i gjerë bashkëpunimi ndërinstitucional. Institucionet e ngarkuara me ligj për zbatimin e këtij vendimi përfshijnë:

Ministrinë e Mjedisit

Ministrinë e Financave

Agjencinë Kombëtare të Pyjeve (AKP)

Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM)

Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave

Inspektoratin përgjegjës për pyjet dhe strukturat e bashkive

Sa i përket impaktit në buxhetin e shtetit nga ngritja e këtij mekanizmi të ri të kontrollit, relacioni i Ministrisë së Mjedisit sqaron shprehimisht:

“Zbatimi i këtij projektvendimi nuk ka efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›