E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria po avancon me sukses drejt BE-së”

25-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani merr mesazhe urimi nga homologu i Gjermanisë, Austrisë, Kroacisë dhe Mbretëresha e Holandës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka marrë mesazhe të shumta urimi nga krerë shtetesh me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Kështu, presidenti i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, në mesazhin e tij thekson se, “me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, kam kënaqësinë e madhe t’ju përcjell Juve urimet më të ngrohta. Gjej rastin t’ju uroj për mirëqenien tuaj dhe për një të ardhme të lumtur për popullin shqiptar”.
Ndërsa Mbretëresha e Holandës, Beatrix R., thekson se “me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë, dëshiroj t’i përcjell Shkëlqesisë Suaj, urimet më të mira për mirëqenien e popullit shqiptar”.
Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, pasi përcjell urimet më të mira për përvjetorin e njëqind të pavarësisë, thekson se “edhe në të ardhmen, Gjermania do t’i japë vendit tuaj çdo mbështetje, me qëllim që procesi i përafrimit të Shqipërisë me Evropën të mund të vazhdohet me sukses”. “Veçanërisht kryesimi i Këshillit të Evropës, nga Shqipëria deri pak javë më parë, bën të qartë se dy vendet tona janë të lidhura edhe nëpërmjet vlerave të përbashkëta. Politika rajonale konstruktive e vendit tuaj u përgjigjet kërkesave, që shtrohen nga kjo qasje. Ju uroj Juve personalisht mbarëvajtje, edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi, ndërsa popullit shqiptar i uroj një të ardhme të mirë, paqe liri dhe mirëqenie!”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit të Gjermanisë, Joachim Gauck.
Nga ana e tij, Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, në mesazhin e urimit për homologun e tij, Nishani thekson se, “me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, jam i gëzuar që t’ju përcjell Juve dhe popullit shqiptar urimet e mia më të përzemërta, sikurse dhe urimet më të mira për prosperitetin e vendit tuaj dhe qytetarëve të tij!”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›