“Shitja e armëve Republikës së Kongos, sipas ligjeve - u raportua pranë OKB”
Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë akuzat e një medieje pranë Ramës, për skandal në shitjet e armëve
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri sqaroi dje për mediat akuzat e bëra nga televizioni Top Channel për armatime shqiptare që përdoren në Kongo. Kulluri thotë se aludimet e medias në fjalë nuk kanë asnjë skandal dhe as përbëjnë lajm, pasi siç tha zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, tregtimi i mallrave ushtarakë është bërë në përputhje me ligjet. Ai theksoi se shitja e predhave 120 mm qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është raportuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç edhe është e publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. “Në përgjigje të akuzave të televizionit Top Channel për të ashtuquajturin skandal të përdorimit të predhave shqiptare në luftimet e Kongos, Ministria e Mbrojtjes sqaron se, këtu nuk ka asnjë skandal dhe as lajm. Shitja e predhave 120 mm qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është ligjore. Kjo shitje është raportuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç edhe është e publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE). Ndaj për t’i kursyer televizionit në fjalë monitorimin e agjencisë së lajmeve ‘Reuters’, aktiviteti i tregtimit të mallrave ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes gjendet në këtë raport. Ky është raporti i AKSHE për vitin 2011, publikuar ne faqen e internetit me adrese www.akshe.gov.al ku pasqyrohet shitja e 10 mijë predhave mortaja 120 mm. Përdoruesi i fundit është Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe e Veteranëve të Luftës së Republikës Demokratike të Kongos. (Z. Kulluri paraqiti para mediave dokumentin e marrjes në dorëzim të këtyre predhave nga qeveria kongoleze). Bëjmë me dije se qeveria e Republikës Demokratike të Kongos nuk është nën embargo. Shitja i është bërë qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos konform të gjithë rregullave dhe akteve ligjore. Nëse rebelët kongolezë kanë shtënë në dorë këto armatime, kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ai. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri informon televizionin Top Channel se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë mbështetur në vijimësi qeverinë e Republikës Demokratike të Kongos dhe përpjekjet e saj për stabilitet të brendshëm. “Pikërisht në këtë kontekst, ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për çështjet politike, Wendy Sherman vizitoi Kongon më datë 5 dhe 6 nëntor”, tha ai. Ndërsa përfundoi duke shtuar se, “akti i sotëm i televizionit Top-Channel vjen pikërisht gjatë festimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe sidomos pas përgëzimeve që qeveria shqiptare mori nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut zoti Rasmussen për kontributin që Shqipëria po jep për paqen dhe sigurinë globale”.
...