E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria po “importon” fuqi punëtore, 46,6% më shumë të huaj, 32 mijë të huaj me leje qëndrimi

Në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 32 mijë e 163, duke u rritur me 46,6% krahasuar me një vit më parë. Meshkujt përbëjnë 65% të totalit, ndërsa femrat 35%.

Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit, me 55,1% të lejeve të dhëna për këtë qëllim.

Ndërkohë, numri i shtetasve nga Azia shënoi rritjen më të fortë, me 117,6% në një vit. Sipas ekspertit Ergis Sefa, tregu shqiptar ende ka kapacitete për të përthithur punonjës të huaj, por ritmet e rritjes së tyre vitet e fundit kërkojnë monitorim më të kujdesshëm.

“Nuk bëhet fjalë që të kemi ende një presion aq të madh mbi tregun e punës, por ajo që është më e rëndësishme është ritmi i rritjes. Kjo është një kombinim edhe i nevojave që ka biznesi, por edhe i politikave ndoshta më dorëlëshuara seç duhet”, u shpreh Sefa.

Turizmi dhe ndërtimi mbeten sektorët që po tërheqin numrin më të madh të punëtorëve të huaj.

“Të cilët kanë nevojë për këtë lloj kategorie punëtorësh, janë kryesisht punëtorë me aftësi të ulëta, pra jo me një nivel profesional shumë të lartë, për të kryer punë që kërkojnë aftësi bazike”, tha eksperti.

Sipas ekspertit, nevojitet një monitorim më i mirë i tregut të punës, me qëllim që rritja e punësimit të të huajve të mos shoqërohet me dobësimin e mundësive për punëtorët vendas.

“Është një balancë e hollë që duhet mbajtur. Nga njëra anë, bizneset po tentojnë t’i mbajnë kostot sa më të ulëta, duke importuar punëtorë me paga të ulëta, pra me kosto të ulët. Nga ana tjetër, kjo e dëmton tregun vendas për ata punëtorë vendas, të cilët duan të rrisin gjithmonë e më shumë nivelin e tyre të mirëqenies”, theksoi ai.

Eksperti vlerëson se afrimi i punëtorëve të huaj është një zgjidhje e dobishme në periudhën e tranzicionit, por në afatgjatë Shqipëria duhet të investojë në aftësimin e forcës vendase të punës. Sipas tij, fuqia punëtore vendase duhet të përshtatet me nevojat moderne të ekonomisë dhe të orientohet drejt kategorive të punës që ofrojnë paga më të larta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›