E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikt për linjën e ujit/ Plagoset me mjet prerës administratori i një pallati në Tiranë, arrestohet autori

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në kryeqytet, ku një 74-vjeçar, administrator i një pallati është plagosur me mjet prerës nga një 35-vjeçar.

Policia bën me dije se pas një konflikti për linjën e ujit të pijshëm në pallatin ku banonte 35-vjeçari, ky i fundit ka qëlluar me mjete prerëse administratorin F. G..

Ky i fundit është transportuar në spital, ku është në kujdesin e mjekëve, ndërsa efektivët kanë vënë në pranga autorin K. L., 35 vjeç.

Njoftimi i plotë:

Plagosi rëndë, me mjete prerëse, administratorin e pallatit ku banonte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestojnë menjëherë pas krimit, autorin. Sekuestrohen mjetet prerëse (thikë dhe motorsharrë). Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit të mëngjesit të sotëm, se në ambientet e një pallati në rrugën “Aleksandri i Madh”, ndodhej i dëmtuar administratori i objektit, shtetasi F. G., 74 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u identifikua dhe u arrestua menjëherë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar, shtetasi K. L., 35 vjeç, banor i këtij pallati. Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka plagosur rëndë, me mjete prerëse, 74-vjeçarin, gjatë një konflikti për linjen e ujit të pijshëm në këtë pallat.

I dëmtuari është transportuar në spital, ku është në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›