E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria vend i sigurt për investitorët, si dhe portë hyrëse për në gjithë rajonin”

29-03-2012 / Gazeta 55

Ilir Meta mban fjalimin në “Johns Hopkins University”, organizuar nga Qendra për Marrëdhëniet Transatlantike në Uashington

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta mori pjesë dhe mbajti një fjalim në Forumin Ekonomik të Evropës Juglindore në “Johns Hopkins University”, të organizuar nga Qendra për Marrëdhëniet Transatlantike në Washington DC.
Në fjalimin e tij, Meta u shpreh se tërheqja e investimeve të huaja në vendet e Evropës Juglindore duhet të jetë prioritet kryesor, duke shtuar se Shqipëria dhe fqinjët e saj kanë avantazhe që lidhen me krijimin e një tregu vibrant e me krahë të lirë pune, politika fleksibël të punës, si dhe potenciale gjithnjë e në rritje të produktivitetit. Për të gjitha këto arsye, tha Meta, rajoni ynë renditet si një nga destinacionet më tërheqëse në Evropë për investimet e huaja.
Në vazhdim, Meta ofroi një ekspoze të realitetit ekonomik të Shqipërisë me theks të veçantë në reformat e ndërmarra nga Qeveria për krijimin e një ambienti sa më miqësor ndaj biznesit dhe veçanërisht për lehtësimin e barrës fiskale dhe burokratike, për thithjen e investimeve. “Shqipëria është një vend tepër atraktiv dhe i sigurt për investitorët, të cilët duhet ta shohin atë si një portë hyrëse për tërë rajonin”, tha Meta.
Gjithashtu, kreu i LSI theksoi se vendet e rajonit duhet të fokusohen më tepër në implementimin e rendit ligjor dhe në rritjen e transparencës, me qëllim efikasitetin në luftën ndaj korrupsionit, si domosdoshmëri për sigurimin e investimeve afatgjata.
Duke iu përgjigjur interesit të të pranishmëve dhe pyetjeve të gazetarëve, Ilir Meta deklaroi se, “Shqipëria është përqendruar në thithjen e investitorëve në ato sektorë si energjia apo burimet minerare për vetë mundësitë që vendi ofron, ndërkohë që, vuri theksin në nevojën e përkushtimit ndaj të rinjve, formimit të tyre profesional dhe krijimit të sa më shumë vendeve të reja të punës për ta”.
Ilir Meta ishte i ftuar të mbante një fjalim në panelin mbi tërheqjen e investimeve të huaja në rajon, të drejtuar nga Erhard Busek, Presidenti i Forumit Ekonomik të Vjenës dhe me panelistë të tjerë si Wofgang Petritsch, Përfaqësues i Përhershëm Austriak në OECD, Augusto Lopez Claros Drejtor i Global Indicators Group në Bankën Botërore dhe Zoran Jolevski, Ambasador i Maqedonisë në SHBA.

Meta-Rothman: Shqipëria, aleate e vendosur e SHBA në luftën kundër terrorizmit
Në kuadër të disa takimeve që Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim po zhvillon në Kongresin dhe Senatin amerikan, Ilir Meta u prit dje në një takim të veçantë nga Kongresmeni Steven Rothman, anëtar i nën-Komitetit për Çështjet e Mbrojtjes dhe Operacioneve të Huaja. Ilir Meta dhe Kongresmeni Rothman diskutuan mbi marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe rolit të vendit në rajon. Meta u shpreh se Shqipëria është një aleate e vendosur e SHBA në luftën kundër terrorizmit dhe një anëtare e denjë e NATO-s duke kontribuuar në mënyrë aktive në Afganistan dhe në zona të tjera të botës ku është angazhuar Aleanca.
Gjithashtu Meta theksoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në shërbim të stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit. Nga ana e tij, kongresmeni Rothman i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë dhe shprehu angazhimin e tij për forcimin e mëtejshëm të tyre. “Marrëdhëniet speciale midis dy vendeve, janë rezultat i vlerave që popujt tanë përfaqësojnë dhe mbrojnë bashkërisht”, tha Kongresmeni Rotham.
Në këtë drejtim, ai vlerësoi kontributin e forcave të armatosura shqiptare në Afganistan duke shprehur njëkohësisht ngushëllimet e tij për humbjen e Kapiten Feti Voglit. Gjithashtu, Rothman shprehu vlerësim të veçantë për kontributin e Ilir Metës në forcimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë duke i dhuruar flamurin amerikan që ishte ngritur mbi godinën e Kongresit amerikan, në shenjë respekti dhe konsiderate.
Njëkohësisht, Kongresmeni Rothman pranoi me kënaqësi ftesën e Ilir Metës për të vizituar Shqipërinë së afërmi.

Meta: SHBA-Shqipëri, bashkëpunim efikas në luftën kundër krimit të organizuar
Në vijim të vizitës zyrtare në Uashington, kryetari i LSI-së, Ilir Meta u prit në Agjencinë Federale kundër Trafikut të Drogës (DEA), nga Kreu i këtij institucioni, Administratorja, Michele M. Leonhart. Gjatë këtij takimi Ilir Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis SHBA-së dhe Shqipërisë në fushën e zbatimit të ligjit dhe në veçanti të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. Meta theksoi se progresi i mëtejshëm në luftën kundër krimit të organizuar është vendimtar për një Ballkan më të stabilizuar, më të sigurt, më të begatë dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Ndaj, theksoi Meta, forcimi i bashkëpunimit rajonal edhe në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar mbetet një prioritet kryesor i Shqipërisë. Duke vlerësuar bashkëpunimin e suksesshëm midis dy vendeve në këtë drejtim, si dhe rëndësinë e rritjes së mëtejshme të tij në të ardhmen, Meta sugjeroi hapjen e një zyre rajonale të DEA-s me qendër në Tiranë, e cila do t’i shërbente luftës edhe më me efikasitet ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale në të gjithë rajonin. Kreu i DEA-s Michele M. Leonhart vlerësoi punën e përbashkët të të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe shprehu angazhimin e Agjencisë për një bashkëpunim më të ngushtë me Shqipërinë dhe me vendet e tjera të rajonit në këtë drejtim në të ardhmen.
Në përfundim, Meta theksoi edhe domosdoshmërinë e rehabilitimit të viktimave të drogës në Shqipëri si edhe rëndësinë e mbajtjes së rinisë larg çdo substancë narkotike përmes angazhimit të të rinjve në programe konkrete sportive, sociale dhe punësimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›